Me zvogëlimin e qeverisë buxheti i Kosovës do të kursehet në masë të madhe
Rrezarta Zekaj, Radio Kosova
Me zvogëlimin e qeverisë sipas premtimeve zgjedhore të partive Vetëvendosjes dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat pritet të arrijnë koalicion qeverisës, sipas njohësve të çështjeve politike, buxheti i Kosovës do të kursehet në masë të madhe.
Zvogëlimi i qeverisë në më 9 ministri më pak, sipas tyre, është përparësi, sepse edhe koordinimi i punëve do të jetë më i lehtë dhe ka efikasitet në marrjen e vendimeve:
Nëse qeveria e re ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së arrin të mbajë premtimet për një qeveri me 12 ministri, atëherë edhe buxheti i Kosovës do të ketë kursime të dukshme.
Visar Rushiti, nga Demokracia Plus, i tha Radio Kosovës se një qeveri me më pak ministri ka të mirat e saj, me fokus të veçantë me minimizimin e shpenzimeve buxhetore:
"Një qeveri me ma pak ministri e para punës ka dukshëm më pak shpenzime, sepse eliminohen kabinetet politike, realisht nuk kemi një numër të madh të zëvendësministrave, nuk kemi shpenzime përcjellëse të tyre, kurse pjesa të cilin duhet të bartet dhe me eliminimin e numrit të ministrive ose me pasjen e 12 ministrive kemi një ulje apo një shpenzim dukshëm më të vogël të buxhetit me këto ministri. Plus koordinimi i punëve në mes të 12 ministrive është shumë më i lehtë se sa të koordinoheshin sot siç janë 21 ministri, kurse në një të ardhme nëse do të kemi 12 ministri, koordinimi i tyre dhe bashkëpunimi në mes të fushave që do t’i mbulojnë këto 12 ministri, do të jetë shumë më i lehtë", tha ai.
Edhe Arton Demhasaj, nga Çohu, e mirëpret idenë e një qeverie me më pak ministri. Ai thotë se vetëm në paga mund të kursehen 5-6 milionë euro në krahasim me qeverinë paraprake:
"Përparësia pa dyshim është se kemi kursim buxhetor, sepse nëse flasim 9 ministra më pak e një numër shumë më të madh të zëvendësministrave më pak që ka për t’i pasur qeveria e re, vetëm nëse i llogarisim pagat e tyre edhe pagat e stafit që ata i kanë pasur, njëkohësisht edhe beneficionet e tjera qoftë transport e gjitha këto, atëherë mund të jetë diku 5-6 milionë euro minimumi buxhetor, që do të shkurtohet vetëm me pagat e stafit politik", tha ai.
Nga shkurtimi i pozitave do të reduktohen edhe shpenzimet për ushqim, karburante dhe telefoni që mund të kapin shifrën 3.4 milionë euro në një mandat, sipas një hulumtimi të Institutit “GAP”. Analistët thonë se përveç kursimeve, një qeveri më e vogël rrit edhe efikasitetin e koordinimin, shkurton kohën e marrjes së vendimeve, rrit besimin e qytetarëve, si dhe krijon adresa të qarta të përgjegjësisë.























