Lëvizja Vetëvendosje, qendra e Ferizajt: Aktivistët tanë s`rrahën askënd
Lëvizja Vetëvendosje, qendra e Ferizajt, e ka mohuar se aktivistë të saj kanë rrahur anëtarin e PDK-së, Jakup Sabedini.
Sipas Vetëvendosjes, bëhet fjalë për akuza të rrejshme dhe për shpërndarje të lajmeve të pavërteta.
Komunikata e plotë:
LVV nuk ka sulmuar askënd, këto janë akuza të rrejshme.
Lidhur me sulmin ndaj anëtarit të PDK-së Jakup Sabedini, ne si Qendër e Lëvizjes në Ferizaj, kemi mësuar vetëm përmes mediave. Pasi u interesuam, duke pyetur aktivistët tanë që drejtojnë në pikat tona në lagje e fshatra, ne mund të themi me siguri se nuk ka asnjë përfshirje aktivistësh në këtë ngjarje.
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj shpreh keqardhjen për sulmin ndaj Jakup Sabedinit dhe urojmë që ai të bëhet mirë sa më shpejt. Po ashtu, presim nga organet e rendit që të gjejnë cilët kanë qenë sulmuesit e t’i vënë përballë përgjegjësisë ligjore.
Fakti se thuhet që ngjarja ka ndodhur para tre ditësh, e reagimi i PDK me akuza të pabazuara vjen vetëm sot, tregon se dikush po interesohet të nxisë opinionin publik, përmes shpifjeve e lajmeve të pavërteta.
Aktivistët e Lëvizjes nuk janë të përfshirë, prandaj kryesit e vërtetë duhet të kërkohen diku tjetër.
Dhuna është e dënueshme por dhe shfrytëzimi i emrit të Lëvizjes për shpifje e akuza të rrejshme si kjo është i padrejtë, ndonëse e kuptojmë që PDK-ja në këtë kohë nuk ka temë tjetër, e vetëm lajmet e pavërteta i shohin si mundësi për të kthyer vëmendjen.
Kërcënimet, dhuna, inskenimet e situatave kanë qenë formë e veprimit të pushtetit të mëparshëm, që fatkeqësisht në qytetin e Ferizajit po vazhdon.
Shpresojmë që rasti të shqyrtohet nga organet përkatëse e përgjegjësit të dënohen.























