Shënon 100 vjetori i themelimit të “Save the Children”
BKT
Lajme

Shënon 100 vjetori i themelimit të “Save the Children”

Organizata udhëheqëse në botë për të drejtët e fëmijëve “Save the Children” ka shënuar sot 100 vjetorin e themelimit.


Me moton “100 vite ndryshim për fëmijët”, kjo organizatë po shënon këtë përvjetor me mbështetje për mbi 1 miliardë fëmijë në nevojë, në mbi 120 vende të botës.


Ahmet Kryeziu, drejtor i “Save the Children” në Kosovë tha se mbesin të përkushtuar për të bërë gjënë e duhur, duke i kthyer të drejtat në realitet për secilin fëmijë në Kosovë.“Qasjet e veprimit kanë ndryshuar, por burimi i motivimit për ne mbetët i një dhe i njëjti.

Edhe pse vështirësitë dalin përgjatë këtij rrugëtimi, ne nuk do të heqim dorë nga sfidimi i strukturave dhe sistemeve që i mohojnë vajzave dhe djemve të drejtën për realizimin e plotë të potencialit të tyre. Prandaj, çfarë na pret tutje. Për të vazhduar këtë rrugëtim ne besojmë se kemi nevojë për bashkëpunim të ndërsjella dhe partneritete të qëndrueshme në nivel vendor dhe global. Ne besojmë në jetësimin e Konventës për të Drejtat e Fëmijës.

Ne besojmë në përkushtimin tonë të përbashkët në fuqizimin e shtetit të Kosovës për realizimin e të drejtave të fëmijëve, së bashku me fëmijët. Teksa sot po festojmë arritjet e një shekulli të ndryshimeve që kemi mundësuar globalisht, ne ju ftojmë të ripërtërijmë zotimet dhe energjitë tona për të ndryshuar jetët e secilit fëmijë në Kosovë”, tha ai.  Vesa Vishaj, përfaqësuese e grupit të fëmijëve “Respect Our Right”, ftoi për motivim nga aktivizimi i vajzave dhe djemve në të gjithë botën që po udhëheqin iniciativa për një botë më të sigurt, e më të shëndetshme për të gjithë.“Ne kemi të drejtë të ngrisim zërin për atë se si të tjerët sillen e kujdesen për ne, se çfarë na mëson sistemi arsimor dhe se për çfarë lloj shërbimesh kemi nevojë qe të jemi të mbrojtur, të shëndetshëm dhe të lumtur. Nevojat, karakteristikat e aftësitë tona mund të jenë të ndryshme, por ëndrrat dhe synimet tona janë të përbashkëta. Anë e kënd botës, me qëndrojmë të bashkuar rreth të njëjtit qëllim, të kërkojmë respektimin e të drejtave tona nga gjithsecili qytetar. Me respektim të të drejtave tona, nënkuptojmë lëvizjen me hapa të vegjël, por të përditshëm drejt arritjes së ndryshimit të dëshiruar për fëmijë. Prandaj po e shfrytëzoj këtë mundësi qe të kërkoj nga secili prej jush, që përgjatë detyrave tuaja të përditshme e të rëndësishme në çdo ambient e institucion, të keni parasysh interesin me të mirë të vajzave dhe djemve në Kosovë”, tha ajo.Vishaj bëri thirrje qe mbrojtja, arsimi dhe mirëqenia të bëhen prioritet i secilit. “Save the Children” për këto 100 vjet punë ka punuar në avancimin e respektimit te të drejtave të fëmijëve, në shpëtimin e jetës së miliona fëmijëve, në sigurimin e arsimimit cilësor të shumë fëmijëve dhe në vetëdijesimin e tyre rreth të drejtave.Aktiviteti i “Save the Children” kishte filluar më 1919 nga themeluesja Engantyne Jebb. Atë kohë ajo kishte nisur fushatën e saj të t’i shpëtuar fëmijët që po vuanin anembanë Evropës nga luftërat. Kjo kauzë u shndërrua në lëvizjen e parë globale për fëmijët.


MË SHUME NGA Lajme