Liverpooli përballë Aston Villës, City e United me kundërshtarë modestë
Sot është hedhur shorti për çerekfinalet e Carabao EFL Cup. Liverpooli, i cili mbrëmë fitoi me penallti kundër Arsenalit pas një ndeshje spektakulare, e cila u mbyll me shifrat 5:5, për kalim në gjysmëfinale do të sfidohet nga Aston Villa.
Liga Angleze e Futbollit ka konfirmuar se është në bisedime me Liverpoolin për të gjetur një datë të përshtatshme për zhvillimin e kësaj ndeshjeje, pasi Jurgen Klopp ka theksuar se caktimi i një date të papërshtatshme mund t’i detyrojë “The Reds” të tërhiqen nga gara. Ndërkohë, fituesi në fuqi i kësaj gare, Manchester City në çerekfinale do të përballet me Oxford United, derisa punë të lehtë pritet të ketë edhe Manchester United që do të ballafaqohet me Colchester United. Ndërkaq, përballja e fundit çerekfinale është ajo ndërmjet Everton dhe Leicester Cityt. Ndeshjet e këtij rrethi janë paraparë të zhvillohen më 16 dhjetor.























