Ri-integrimi i fëmijëve të kthyer nga Siria është duke shkuar shumë mirë
BKT
Lajme

Ri-integrimi i fëmijëve të kthyer nga Siria është duke shkuar shumë mirë

Albana Karaj, Radio Kosova

Në kuadër të programeve të ri-integrimit, fëmijët e kthyer nga zonat e luftës në Siri, po i vazhdojnë mësimet në disa shkolla të Kosovës. Mësimdhënësit e tyre tregojnë për sfidat dhe integrimin e tyre në shkollë e shoqëri. Ndërkaq, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit thonë se procesi i ri-integrimit të fëmijëve të kthyer, është duke shkuar shumë mirë, ndërsa janë të integruar në shkollat afër vendbanimeve të tyre.

Fëmijët e kthyer nga Siria po vazhdojnë integrimin e tyre në shkollat e Kosovës, ashtu siç e parasheh Ligji për arsimin para-universitar. Në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë, e vijojnë mësimin shtatë fëmijë të kthyer, prej tyre janë pesë vajza dhe dy djem. Ata në klasën e tyre tashmë janë të qetë, kanë filluar të ndihen si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre të kësaj shkolle, por që ende nuk janë shpërndarë në klasa të tjera. Mësimdhënësi Ruzhdi Kastrati, i angazhuar në këtë shkollë për t’iu dhënë mësim fëmijëve të kthyer, tha për Radio Kosovën se në këtë klasë fëmijët janë të moshave të ndryshme, nga nëntë deri në trembëdhjetë vjeç. Ai bëri të ditur se ata janë në këtë shkollë prej tre muajsh.

“Punojmë me plane të ndryshme. Jemi duke u marrë me planet e klasës së parë dhe të dytë, varet sipas nevojës...”

Kastrati tregon se në fillim ka pasur vështirësi në integrimin e tyre në shkollë, por tani, sipas tij, ata po integrohen mirë edhe pse, siç tha ai, do të ketë ende sfida.

“Vështirësi ka pasur deri te ajo që as nuk kanë pasur dëshirë të kenë qasje me mësimdhënës. Por, duke i bërë shokë e shoqe secilin prej tyre dhe duke i liruar deri në atë masën që ata tani tregojnë gjithë çfarë kanë nevojë dhe e shpalosin. Integrimi i tyre po ecën mirë, vetëm kanë filluar të integrohen në shoqëri. Do të kenë probleme, por do të tejkalohen pasi janë 13-vjeçar dhe janë të rinj.”

Afërdita Jaha, nga Ministria e Arsimit, tha për Radio Kosovën se procesi i ri-integrimit i të gjithë fëmijëve të kthyer nga vatrat e luftës, është duke shkuar shumë mirë. Ajo tha se fëmijët janë të integruar në ato shkolla që janë më afër vendbanimeve të tyre. 

”Jemi në bashkëpunim të ngushtë me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me drejtorët e shkollave. Deri në këto momente nuk kemi asnjë vërejtje. MASHT në bashkëpunim me UNICEF dhe OSBE, janë duke ofruar trajnime për mësimdhënës dhe psikologë të shkollave në ato shkolla ku janë kthyer këta fëmijë.”

Në prill të këtij viti, në Kosovë u kthyen 110 qytetarë nga Siria. Katër prej tyre ishin luftëtarë të huaj, 74 fëmijë dhe 32 gra, derisa ende nuk dihet se kur kthehen të tjerët. Psikologë e mjekë, vazhdojnë ende t’i vizitojnë këta fëmijë dhe familjet e tyre që janë kthyer nga Siria. 

 


MË SHUME NGA Lajme