RTK në Samitin e Mediave kërkon që të rregullohet pagesa
Radiotelevizioni i Kosovës ka kërkuar rregullimin e pagesës. Në Zagreb, ku po mbahet samiti për të ardhmen e mediave publike dhe mediave te shkruara me temë: financimi, pavarësia dhe modelet e reja, po merr pjesë edhe drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati. Kastrati para dhjetëra mediave dhe qindra pjesëmarrësve kërkoi që pagesa për RTK të regullohet përmes faturave elektrike si shumicën e vendeve të botës.
"Dëgjuam problemet dhe sfidat me të cilat po ballafaqohen të gjitha mediat publike në rajon e më gjërë e ato janë të njëjta, financim i paqëndrueshëm dhe përpjekjet e politikës për të ndikuar në transmetues publik. Po ashtu u theksua nevoja e ekzistimit të transmetuesve publikë për një shoqeri demokratike. Mënyra më e mirë e financimit është vlerësuar të jetë parapagimi përmes faturave të energjisë, praktikë që po zbatohet edhe në vende tjera”.
Samiti është organizim i përbashkët i SEEMO-s, Konrad Adenauer Stiftung dhe EBU-së.
Të pranishmit përmes paneleve të ndryshme të diskutimit kanë shpalosur sfidat dhe kërcënimet me të cilat po përballen transmetuesit publik në Evropën Juglindore dhe më gjerë.
Në Samitin e 13-të për mediet e Evropës Juglindore Zagreb po marrin pjesë rreth 300 përfaqësues të mediave, Bashkimit Evropian dhe organizatave që merren me mediet.























