Prishtina “rrëzon” Llapin, paqe në ‘Rexhep Rexhepi’
Prishtina ka triumfuar në derbin kundër Llapit, duke fituar midis “Zahir Pajazitit”, me rezultat 4-1, të shtunën në kuadër të javës së 15-të të elitës së futbollit tonë, raporton RTKLive.com.
Kryeqytetasit janë shfaqur ekip dominues në duel me llapjanët, duke arkëtuar tri pikë të mëdha në garën për kreun e tabelës.
Krasniqi (25’), Haliti (32’), Januzi (47’) dhe Thaqi (71’), shënuan nga një gol për fitoren e madhe të skuadrës së Armend Dallkut, kurse, golin e vetëm për ekipin e Tahir Batatinës e realizoi Selmani (75’).
Pas kësaj fitore, Prishtina ngjitët në pozitën e katërt me 27 pikë, tri më pak se Gjilani dhe Ballkani që kryesojnë tabelën, derisa Llapi renditet e pesta me 24 pikë.
Ndërkohë, në derbin tjetër të ditës së sotme, Feronikeli dhe Drita kanë ndarë pikët, duke luajtur pa gola në “Rexhep Rexhepi” të Drenasit.
Kampionët në fuqi kishin iniciative në terren, bën presion më të madh drejt portës gjilanase, megjithatë, skuadra ia doli që nga ky udhëtim të shkëpusë një pikë tejet të rëndësishme në garën për titull të kampionit.
Feronikeli zë vendin e gjashtë me 23 pikë, kurse, Drita është e treta me 28 pikë të grumbulluara.























