‘Ardhja në Kosovë e laureatit për paqe Denis Mukwege, moment historik’
20 vjet më parë ai ishte i vetmi gjinekolog i njohur nga Kongo, ku më pas themeloi edhe spitalin e vetëm në vend për të trajtuar viktimat e përdhunimit, si dhe dëmin që shkaktohej nga dhuna. Ky spital më pas u shndërrua si strehë për mijëra viktima seksuale nga rebelët Hutu të Ruandës dhe banda të tjera të armatosura.
Gjinekologu Denis Mukwege zgjeroi aktivitetin në mbështetje të të mbijetuarve, në ndihmë mjekësore, duke avokuar për të drejtat e viktimave dhe nismave vetëdijësuese në nivel global.
E pikërisht për këtë vitin e kaluar së bashku me aktivisten Jezide, Nadia Murad, morën çmimin “Nobel për Paqe” për përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund përdorimit të dhunës seksuale si mjet lufte në konflikte të armatosura.
Për herë të parë, laureati i Çmimit Nobel për Paqe, Denis Mukwege ka ardhur dje në Kosovë, së bashku me dy të mbijetuara të dhunës seksuale, njëra nga Sudani, e tjetra nga Iraku, për të marrë pjesë në shënimin e 20 vjetorit të themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
Ardhja e laureatit për Paqe, Denis Mukwege, për drejtoreshën e kësaj qendre, Feride Rushiti nënkupton përmbylljen e dy dekadave punë për rehabilitimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Mukwege për së afërmi do të njihet me praktikat e reperacionit dhe do të bashkëbisedojë me të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë.
Së bashku me to, ai sot ka vizituar edhe monumentin “Heroina” në Prishtinë, e më pas do të vizitojnë edhe Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale.
E ardhja e tij në Kosovë për Feride Rushitin paraqet moment historik për Kosovën.
Që nga viti 1998, Mukwege dhe stafi i tij kishin kryer ndërhyrje kirurgjike në më shumë se 20,000 gra dhe fëmijë.
Ai do të jetë folësi kryesor në konferencën që do të organizohet nesër në 20 vjetorin e themelimit të QKRMT-së. Rushiti thotë se kanë synuar të masivizojnë sa më shumë ardhjen e tij në Kosovë, por një e gjë e tillë nuk është mbështetur edhe nga përfaqësuesit e institucioneve.
Derisa po bëhen dy dekada nga lufta e fundit në Kosovë, Rushiti thekson se viktimat e dhunës seksuale po ballafaqohen ende me padrejtësi.
Derisa ende askush nuk është dënuar për krimet që janë bërë ndaj 20 mijë viktimave të dhunës seksuale, shumë nga to rrëfejnë për tmerrin që kanë përjetuar aso kohe.
Në tetor të vitit të kaluar, Vasfije Krasniqi-Goodman ka thyer një tabu në shoqërinë kosovare pasi është bërë gruaja e parë, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës, që ka rrëfyer publikisht tmerrin e përjetuar nga forcat policore serbe në vitin 1999.























