Roli i vendimeve të Supremes në luftën kundër krimit dhe korrupsionit
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) mban tryezën e Diskutimit me temë `Roli i vendimeve të Gjykatës Supreme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit: Një thirrje për disiplinim të gjyqtarëve që marrin vendime të kundërligjshme”.
Kjo Tryezë Diskutimi ka për qëllim të diskutojë mbi detyrimet kushtetuese të Gjykatës Supreme për të garantuar që vendimet e saj që konstatojnë gjendje të paligjshmërisë të adresohen në mënyrë efektive nga gjykatat më të ulta. Për më tëpër, diskutimi do të fokusohet edhe në praktikat e vendeve të rajonit dhe mënyrën e adresimit të rasteve të tilla.
Gjatë këtij diskutimi do të publikohet një Analizë Politikash e titulluar: “Vendimet e Gjykatës Supreme: Ndikimi i tyre në sistemin gjyqësor të Kosovës”. Ky studim analizon disa nga rastet ku Gjykata Supreme e Kosovës duke vendosur lidhur me kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruara nga ana e Prokurorisë së Shtetit, nxjerrë aktgjykime me të cilat konstatohet shkelje e ligjit penal. Si pasojë e njëjta nuk i prish vendimet e formës së prerë të gjykatave të ulëta, respektivisht ato të Gjykatës së Apelit, por kufizohet vetëm në konstatimin e shkeljeve të ligjit penal. Edhe pse në këto raste po konstatohet shkelja e ligjit penal, të njëjtat po përfundojnë pa asnjë efekt duke mos u marrë asnjë hap tjetër shtesë as nga ana e Gjykatës Supreme e as nga ana e Gjykatës së Apelit. Me anë të kësaj analize gjithashtu shtjellohen detyrimet ligjore që përkojnë mbi Gjykatën Supreme, si gjykata më e lartë në sistemin gjyqësor, dhe ato që përkojnë mbi Gjykatën e Apelit, si shkalla e dytë në këtë sistem. Për më tëpër, kjo analizë ofron një varg rekomandimesh që qartësojnë zbraztirat juridike të sistemit të drejtësisë në Kosovë.























