Zyra e BE-së: Nuk ka datë të caktuar për liberalizim të vizave
Zyra e BE-së në Kosovë ka thënë se nuk ka një afat të caktuar për vizat.
“Nuk ka një afat të caktuar për procesin e liberalizimit të vizave dhe është në dorën e shteteve anëtare të BE-së në Këshill që ta përfshijnë liberalizimin e vizave për Kosovën në agjendën e Këshillit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Kosovë, transmeton Express.
Zyra e BE-së në Kosovë është shprehur se është në dorën e shteteve anëtare të BE-së që të marrin një vendim përfundimtar për heqjen e vizave për Kosovën.
“Procesi i vendimmarrjes së BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën po vazhdon. Është në dorën e shteteve anëtare të BE-së që përfaqësohen në Këshillin e Bashkimit Evropian, së bashku me Parlamentin Evropian që të marrin vendimin përfundimtar”, kanë deklaruar nga Zyra e BE-së.























