Ekspertët ngrenë alarmin, ndotja e ajrit me pasoja afatgjate te fëmijët
Me rastin e 30-vjetorit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës, Grupi Tematik për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shëndetësi që është strukturë organizative brenda koalicionit të OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë e njohur me shkurtesën KOMF, mbajti konferencë për media, ku prezantuan një dokument faktik të gjendjes aktuale në Kosovë sa i përket ndotjes së ambientit, dëmet që shkaktohen tek fëmijët dhe masat që duhet të ndërmerren për tu mbrojtur nga ndotja e ambientit.
Drejtoresha e KOMF, Donjeta Kelmendi, tha se kjo konferencë është thirrur me qëllim për veprim sa më të shpejtë për ajrin e ndotur, sepse sipas saj, ekspozimi afatgjatë i fëmijëve në një ambient të ndotur mund të ketë pasoja të mëvonshme shëndetësore fizike dhe psikologjike tek ta.
Drejtori ekzekutiv i organizatës “Aksioni për nëna dhe fëmijë”, Vlorian Molliqaj, tha se studimet e fundit tregojnë që personat që kanë qenë të ekspozuar gjatë fëmijërisë së tyre në ajër të ndotur kanë prirje për të pasur ngecje në zhvillimin fizik dhe psikologjik gjatë jetës së tyre, dhe sipas tij shteti i Kosovës nuk ka asnjë plan për të parandaluar ndotjen e ajrit.
Tutje ai tha se shkaktarët më të mëdhenj të ndotjes së ajrit janë mënyra e ngrohjes, prodhimi i energjisë dhe lirimi i gazrave nga mjetet e transportit.
Kosova edhe pse ka krijuar task-forcë për përmirësimin e ajrit, për anëtaren e KOMF, Bukureza Surdulli, tha se nuk ka pasur ndonjë aktivitet konkret që i ka kontribuar përmirësimit të ajrit.
Po ashtu, ajo shtoi se KOMF i rekomandon institucionet përgjegjëse të zhvillojnë politika që të adresojnë çështjen e ndotjes së ajrit, të zhvillohen strategji kombëtare që përmirësojnë ndotjen e ajrit, të zhvillohen hulumtime të bazuara lidhur me ndikimin e ajrit në shëndet posaçërisht të fëmijëve, të ndahet buxhet i mjaftueshëm për të parandaluar ndotjen e ajrit etj..
Ndryshe, Grupi Tematik për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shëndetësi është strukturë organizative brenda KOMF, e përbërë nga organizatat anëtare dhe jo anëtare të KOMF, të cilat marrin pjesë në përputhje me profilin e tyre, ekspertizën, fushën e veprimit dhe atë të interesit. Ky grup ka për qëllim ndikimin në hartimi e politikave që mbrojnë të drejtat e fëmijëve në fushën e shëndetësisë.























