Festivali i 29-të shqiptar në Nju Jork

Festivali i 29-të shqiptar në Nju Jork

Edhe pse larg vendlindjes, komuniteti shqiptar në Nju Jork ruan me zili vlerat e kombit. Dëshmi për këtë është festivali shqiptar në këtë qytet amerikan, që çdo vit për gati tre dekada sjell këngë e valle folklorike. Në kronikën në vazhdim mund të ndiqni atmosferën e edicionit të 29-të të këtij festivali, të cilin e përcolli kolegu ynë Burim Goxhuli.

Festivali i 29 shqiptar në Nju Jork, solli program të pasur kulturor. Ky aktivitet synon të ruaj traditat dhe vlerat artistike të kombit, nëpërmjet këngëve dhe valleve folklorike të interpretuara nga artistë të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara.

Në skenë u ngjitën artistë shqiptarë që u përkasin tre brezave të ndryshëm. Famulltari i Kishës “Zoja e Shkodrës”, Dom Pjetër Popaj, u shpreh me shumë krenari përpara të pranishmëve.

“Është kënaqësi kur shohim të rinjtë e të rejat e komunitetit tonë që kanë lindur këtu në Amerikë, duke kënduar e vallëzuar këngë dhe valle shqiptare. Kjo tregon se ata krenohen se janë shqiptarë”.

I pranishëm në festival ishte edhe një mysafir i veçantë. Krytari i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engël, garantoi se do të vazhdojë kontributin për komunitetin shqiptar.

“Do të bëj gjithçka që është e mundur, që të sigurohem se Kosova merr njohjen që meriton, që Shqipëria merr përkrahjen që e meriton dhe që të gjithë shqiptarët qofshin në Ballkan ose në Amerikë, të trajtohen drejtë dhe në mënyrë të duhur sepse edhe unë e ndiej veten pjesë të kombit shqiptar, pasi kam punuar për shumë vite për të.”

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, kërkoi nga komuniteti shqiptar në Amerikë që të mos kursehet ndihma për vendlindjen.

“Dikush më pyeti se sa shumë duhet të bëjmë për vendet tona? Përgjigja ime ishte e thjeshtë. Imagjinojeni sikur ne jemi në shtëpi, ndërsa familjet dhe populli ynë janë këtu. Sa shumë do të kërkonim nga ata që të bënin? Kaq i kemi borxh popullit tonë dhe vendit tone.”

Të pranishmit në festival i vlerësojnë shumë ngjarje si këto, që të kujtohet e kultura e kombit shqiptar, në mënyrë që ajo të mos harrohet kurrë.

“Prej gjithë botës jetojnë këtu dhe fëmijët tanë gjithmonë kanë marrëdhënie, sidomos në shkollë. Por besoj se festivalet dhe tubime të tilla luajnë një rol të jashtëzakonshëm që ruajmë traditat tona”, tha Kol Cacaj.

“Është mirë të dish nga je. Ku e ke vendin dhe sa vështirësi kishin njerëzit tanë të vinin këtu. Shqiptarët e paten të vështirë të vinin në Amerikë, që të kenë familje e punë. Është mirë ta dish nga ke ardhur. Pa histori ske të ardhme”, tha Albian Velia, pjesëtar i komunitetit shqiptaro-amerikan.

Festivali i 29 shqiptar, iu kushtua figurës së Ismail Qemalit. Aktiviteti i organizuar nga qendra kulturore “Nënë Tereza” e Kishës Zoja e Shkodrës, është një nga shumë veprimtaritë për nder të 107 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë./VoA


MË SHUME NGA Kulturë