Rihapet Pavijoni i Kosovës në Venedik

Rihapet Pavijoni i Kosovës në Venedik

Pavijoni i Kosovës është rihapur për vizitorë në njërën nga ekspozitat më të famshme në botë, në Bienalen e Venedikut.

 Artisti Alban Muja, që sivjet prezanton Kosovën në qendrën e kulturës, në Venedik, ka bërë të ditur se hapësira e Kosovës do të jetë e hapur për publikun deri më 24 nëntor. Atje po prezantohet vepra “Family Album”. Projekti që Muja prezantoi në Itali është multimedial. Ai ka marrë 3 imazhe gazetareske të bëra para 20 vjetëve të fëmijëve, që janë fotografuar nga mediet e njohura në atë kohë si refugjatë.  “Nga lajmet zyrtare prej autoriteteve të Bienales së Venedikut njoftojmë se Pavijoni i Republikës së Kosovës është rihapur dhe do të qëndrojë i hapur deri më 24 nëntor 2019”, thuhet në njoftimin e Bienales së Venedikut, të cilin e përcjell artisti kosovar Alban Muja.

Ai është një nga artistët e Kosovës, të cilët janë më të pranishëm në skenën ndërkombëtare dhe është një artist që vazhdon ta lidhë punën e tij me kontekstin lokal. Kjo ishte hera e katërt që Kosova mori pjesë në ekspozitën  ndërkombëtare të artit – “La Biennale di Venezia”. Bienalja e Venedikut u hap më 11 maj dhe do të qëndrojë e hapur deri më 24 nëntor. Vitin e kaluar mbi 275 mijë veta e kanë vizituar Bienalen, që nënkupton se po kaq njerëz edhe këtë vit do të kenë mundësinë të eksplorojnë historinë e Kosovës dhe të refugjatëve të saj, të kaluarën e Kosovës duke shikuar edhe nga e tashmja.