Spektakël i dyshes James-Davis, Doncic vijon magjinë
BKT
Sport

Spektakël i dyshes James-Davis, Doncic vijon magjinë

Mbrëmje e pasur me sfida spektakolare në NBA, ku pa dyshim spikaste përballja mes Oklahoma City Tunder e Los Angeles Lakers në Konferencën e Perëndimit.

Në “Chesapeake Energy Arena” të Oklahomas u shënuan 257 pikë në total, por në fund triumfuan me vetëm 3 pikë diferencë, 127-130, kalifornianët, të udhëhequr nga dyshja LeBron James-Anthony Davis. Nëse “Mbreti” James e mbylli takimin me 23 pikë e 14 asiste, vendimtar për Lakers rezultoi Davis me 33 pikë dhe 11 “rebound”.

Për Thunder më të mirët ishin Shai Gilgeous-Alexander dhe Steven, respektivisht me 24 dhe 22 pikë, ndërsa Chris Paul shtoi edhe 18 pikë të tjera.

Luka Doncic gjithnjë e më mahnitës në NBA. Falë magjive të talentin slloven, Dallas Mavericks shkatërruan 143– 101 Cleveland Cavaliers, me ish-basketbollistin e Real Madridit që la shenjë me 30 pikë, 14 asiste dhe 7 “rebound”, duke iu afruar “triple double”, që do të ishte treti radhazi. Teksanët e patën shumë të lehtë përballë Cavs, në radhët e të cilëve më i miri rezultoi Darius Garland me 23 pikë, shumë pak për të përballuar furinë e Doncic me shokë.

Në “Staples Center” të Los Angelesit spektatorët u bënë dëshmitarë të një tjetër përballjeje spektakolare mes Clippers dhe Houston Rockets, të cilën vendësit e fituan me vetëm 3 pikë diferencë, 122-119, falë një përmbysjeje të pabesueshme në minutën e fundit, ku rikuperuan plot 5 pikë, me një rezultat të pjesshëm 10-2.  Nuk mjaftuan për Rockets 37 pikët e James Harden, ndërsa për kalifornianët morën më shumë vlerë 27 pikët e Lou Williams, që e nisi nga pankina, dhe 24 të Kawhi Leonard, autor i koshit të parakalimit 15 sekonda para fundit, transmeton SS.

Rezultatet:

Detroit Pistons-Atlanta Hawks 128-103

Washington Wizards-Charlotte Hornets 125-111

Brooklyn Nets-Sacramento Kings 116-97

Chicago Bulls-Miami Heat 108-116

Oklahoma City Thunder-Los Angeles Lakers 127-130

Philadelphia 76ers-San Antonio Spurs 115-104

Dallas Mavericks-Cleveland Cavaliers 143-101

Utah Jazz-Golden State Warriors 113-109

Denver Nuggets-Boston Celtics 96-92

Los Angeles Clippers-Houston Rockets 122-119