Aspak e lehtë që partitë opozitare të zhvillojnë opozitarizëm
Bardha Shkreli
Analistët thonë se opozita në legjislaturën e VII-të, në fillim, nuk do të ketë shumë hapësirë për reagim. Sipas tyre, rikuperimi i marrëdhënieve të ish koalicionit PAN-it do të bënte, pastaj, që Kuvendi të ketë një opozitë të mirëfilltë.
Analistët konsiderojnë se nuk do të jetë e lehtë që partitë opozitare të zhvillojnë një opozitarizëm të mirëfilltë, të paktën jo në fazën fillestare të legjislaturës së VII-të.
Analisti Artan Muhaxhiri, e mbështet këtë në faktin se ndryshimet e mëdha të spektrit politik siç ndodhi nga rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit kanë efekte afatgjate te partitë politike, të cilat deri para zgjedhjeve ishin në pushtet.
“Goditja të cilën e ka marrë ish koalicioni PAN me 6 tetor natyrisht se do të ketë reflektime edhe në opozitarizmin e partive, posaçërisht të PDK dhe AAK, sepse, këto dy parti së pari duhet të rikuperojnë radhët e veta dhe pastaj të ballafaqohen me entuziazmin politik të ndryshimit, të cilin synojnë ta transmetojnë Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK ”, tha ai.
Për drejtuesin e Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, opozita nuk do të ketë shumë hapësirë për reagim nëse realizohen disa premtime të përmendura nga partitë që synojnë koalicionin qeverisës. Disa nga këto premtime, siç është kabineti qeveritar prej 12 ministrive dhe zvogëlimi i shpenzimeve të buxhetit, janë në frymën e kërkesave të qytetarëve të Kosovës, dhe si të tilla, mund të jenë hendikep për opozitën, duke mos i lënë hapësirë për reagim. Megjithatë, Kryeziu thotë se duhet pasur parasysh këtë fakt.
“Duhet të kemi parasysh që numri i deputetëve opozitarë nuk është i vogël, pastaj, përvoja e tyre 20 vjeçare në pushtet mund t’i sfidojë në çdo moment, në çdo ditë të jetës parlamentare vendimet e qeverisë”, tha ai.
Ndryshe, zyrtarë të PDK-së dhe AAK-së, janë zotuar se do të përbëjnë një opozitë të fuqishme por konstruktive.























