Koordinatori Hoti: ekipi “Shqiponja” po bën histori në diasporë
Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, gjatë vizitës zyrtare në Itali ka vizituar ekipin e futsallit “Shqiponja” ku takoi lojtarët, kapitenin si dhe udhëheqësit e këtij ekipi.
Pasi u informua për sukseset e shqiponjave, Hoti tha se është shumë i kënaqur kur sheh bashkëpunimin ndërmjet shqiptarëve në Itali si dhe me suksesin që ky ekip po tregon në futsall. Ai i informoi lojtarët edhe për Programin Nacional për Rininë, konkretisht për platformën e sportit, në kuadër të së cilit zhvillohet edhe gara e futsallit.
“Fillimisht dua t’ju uroj fitoren e ndeshjes së sotme, me çka më bëtë të ndihem shumë krenar me ju. Ndihem shumë mirë dhe është kënaqësi e veçantë të gjendem këtu me ju dhe të shoh sukseset e juaja. Ne në Kosovë jemi duke implementuar Programin Nacional për Rininë, në kuadër të së cilit kemi edhe garat e sportit duke përfshirë këtu edhe futsallin. Unë besoj shumë që në bashkëpunim me shqiptarët e Italisë, në këto gara të marrin pjesë edhe nxënësit shqiptarë nga Italia, sidomos tani kur po shoh kapacitetin tuaj”, tha Koordinatori Hoti.
I pranishëm në këtë takim ishte Klodian Cami, themeluesi i Shoqatës “Shqiponja” e cila është sponzorizuese e ekipit. Cami e informoi në detaje Koordinatorin Hoti, për fillimet e ekipit dhe rrugën që kishte bërë ky ekip për të ardhur deri këtu.
“Shoqata “Shqiponja” është themeluar më 30 shtator 2010. Kjo është shoqatë nacionale që funksionon në gjithë Italinë. Në Reggio Emilia ka mbi 600 anëtarë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, ndërsa në kryesi të shoqatës kemi anëtar nga Kosova. Duke menduar se çfarë mund të bëjmë për të rinjtë tanë këtu në Itali, ne si shoqatë vendosëm të krijonim një ekip futsalli të quajtur “Shqiponja” në vitin 2013. Ky ekip ka filluar të luaj në nivele të ulëta të ligës, mirëpo me sukseset e treguar ka arritur në ligën C1 dhe zhvillon ndeshje në të gjithë Italinë”, tha Cami.
Shumica e lojtarëve të ekipi “Shqiponja” janë shqiptarë, mirëpo ka edhe italian, marokenë, afrikan si dhe arab. Bashkëpunimi i shqiptarëve me lojtarët e vendeve tjera brenda ekipit si dhe sukseset që kanë treguar ata, ka ndërruar qasjen e mediave italiane karshi shqiptarëve si dhe ka krijuar imazh pozitiv të tyre në rajonin e Reggio Emilias.
Koordinatori Hoti po ashtu takoi edhe përfaqësuesit e Qendrës Kulturore Shqiptare e cila është formuar nga shqiptarët e Maqedonisë në Itali përkatësisht në Guastalla, me të cilët diskutuan për gjendjen e shqiptarëve në Itali si dhe për Programin Nacional për Rininë.
Edhe kjo qendër bashkëpunon me shoqatën “Shqiponja” konkretisht me çështjen që kanë të bëjnë me ekipin e futsallit. Pjesë e kësaj qendre është edhe kapiteni i ekipit “Shqiponja”, Resul Huseini.





























