Limaj: Sipas informatave që kam janë takuar Thaçi dhe Kurti
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka theksuar se sipas informatave që ai ka, janë takuar Thaçi dhe Kurti.
Limaj në RTV Dukagjini, ka thënë se pas procesit zgjedhor nuk është takuar me Albin Kurtin, por ka pasur takime me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën.
“Kam kontakte të rregullta me Isa Mustafën. Ne kemi takime të vazhdueshme miqësore me LDK-në, edhe takimi pas zgjedhjeve ka qenë i tillë”, tha ai.
I pari i NISMA-s ka thënë se koalicionet qeverisëse janë bërë dy apo tri ditë pas zgjedhjeve, e sipas tij këtë gjë nuk po e shohim në këto zgjedhje.
“Nuk kam folur me Isa Mustafën për skenarë të mundshme. Qytetarët e kanë dhënë verdiktin. Ka një vendim gjyqësor dhe dihet cilës parti i takon të formojë qeverinë”, tha ai.
Limaj ka thënë se Nisma ka pritur që LDK do të del fituese e zgjedhjeve dhe sipas tij atëherë do të ishte i qartë pozicioni i partisë së tij në favor të përfshirjes në qeveri.
Megjithatë Limaj ka thënë se është i gatshëm t’i përgjigjet ndonjë ftese nga Vetëvendosje.
“Jam i gatshëm t’i përgjigjem çdo ftese për takim, por nuk e di çfarë do të pranojmë të bisedojmë në tavolinë”.
Limaj ka thënë se ka informata e që, sipas tij “nuk vijnë nga çarshia”, se Thaçi dhe Kurti janë takuar
“Informatat që unë kam ata (Thaçi e Kurti) janë takuar. Ata kanë kompetencat e veta… Shenjat nuk janë të këqija (mes tyre)”, tha ndër të tjera Fatmir Limaj.
Limaj po ashtu ka thënë se “përpjekja për të fabrikuar rezultatin e zgjedhjeve përmes votave të parregullta dëmton demokracinë dhe procesin zgjedhorë”.
“VV me vetëdije po pranon disa paketa duke falsifikuar rezultatin zgjedhor të Kosovës. Qytetari ia ka dhënë atë besim për të fituar 29 deputetë. Ata duhet të ecin para për të krijuar institucionet. Ajo është parti fituese dhe më së paku atyre do të duhej të mos i kontestohej rezultati i zgjedhjeve”, tha ai pari i Nismës.























