FFK-ja solidarizohet me Shqipërinë pas tërmetit tragjik
BKT
Sport

FFK-ja solidarizohet me Shqipërinë pas tërmetit tragjik

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), është solidarizuar me Shqipërinë, pas tërmetit të fuqishëm që e goditi vendin të martën në mëngjes, duke shkaktuar dhjetëra viktima dhe i lënë qindra njerëz të lënduar.

Tetëmbëdhjetë persona kanë mbetur të vdekur dhe qindra të tjerë janë lënduar në një seri tërmetesh që e goditen Shqipërinë, kryesisht zonën e Durrësit, që nga orët e hershme të mëngjesit të sotëm.

“Me shqetësim të thellë i kemi ndjekur ngjarjet e fundit pas tërmeteve që goditën mëngjesin e sotëm Shqipërinë, ku si pasojë deri tash janë shënuar 18 viktima dhe janë shkaktuar dëme të mëdha në objekte banimi. Me këtë rast, në emrin tim, KE të FFK-së dhe tërë komunitetit të futbollit në Kosovë, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe bashkëndjejmë me ta në këto momente të vështira”, ka thënë presidenti i FFK-së në një telegram të publikuar në faqen zyrtare.

FFK-ja është solidarizuar me federatën motër, klubet e futbollit dhe tërë popullin shqiptar.“FFK solidarizohet me FSHF-në, klubet e futbollit dhe tërë kombin shqiptar në këtë situatë emergjente dhe do të jetë e gatshme të ndihmojë me të gjitha kapacitetet e saj vëllezërit dhe motrat tona në Shqipëri. Lusim Zotin që kjo gjendje të tejkalohet sa më shpejtë dhe njëherësh shprehim gatishmërinë dhe solidaritetin tonë të plotë me popullin dhe institucionet e shtetit shqiptar, teksa për të gjithë të lënduarit urojmë shërim sa më të shpejtë. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe popullin e saj!”, ka shkruar Ademi tutje.