Heldt kërkon formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Cristian Held, ka bërë thirrje që sa më shpejt që të jetë e mundur të formohet qeveria e re, pasi sipas tij ka shumë detyra që e presin.
Këto komente diplomati gjerman i ka bërë sot gjatë tryezës me temën “Zhvillimi i ardhshëm i Kosovës-Si mund të kontribuojë qeveria e re?”, organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe Instituti Riinvest.
Siguria e energjisë, politikat ekonomike për të përkrahur eksportin dhe promovimin e investimeve si dhe lufta kundër informalitetit janë disa nga kërkesat e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe RIINVEST-it për qeverinë e re të vendit.
Përfaqësuesit e të dyja organizatave, i bëjnë thirrje qeverisë së re të ndjekë një politikë fiskale që stimulon rritjen, në mënyrë që të garantohet stabiliteti i çmimeve dhe konkurrenca në sektorin privat.
Ata thonë se qeveria e re do të duhet menjëherë të merret me rreziqet fiskale, përfshirë ligjin për pagat, reformat e vonuara në kontributet shoqërore dhe kërkesat për skema të reja të pagesave, sipas tyre zbutja e këtyre rreziqeve fiskale është parakusht për fillimin e trajtimit të sfidave afatgjata të rritjes ekonomike të Kosovës.
Ambasadori Held, derisa ka folur për sfidat që e presin qeverinë e ardhshme, ka bërë thirrje që qeveria të formohet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ai tha se Kosova vazhdon të përballet me çështjen e imazhit, ku tha se shumë investitorë që nuk e njohin Kosovën e kanë ndjenjën se ky është një vend i prekur nga lufta, por që sipas tij ky perceptim ndryshon porsa ata vijnë në Kosovë.
Ndërsa, Asli Senkal, ekonomiste në Grupin e Bankës Botërore, tha se varfëria mbetet shumë e lartë në Kosovë, ku rreth 18 për qind të popullsisë jetojnë në varfëri të mesme, andaj sipas saj, krijimi i vendeve të punës është rruga kryesore për zvogëlimin e shkallës së varfërisë.
Alban Hashani, drejtor Ekzekutiv i Institutit RIINVEST, tha se kur flitet për tregun e punës ka shumë mospërputhje në mes të ofertës dhe kërkesës. Ai tha se shumë njerëz kanë mospërputhje për shkak të pagës që presin.
Hashani, si sfidë për punësim në Kosovë, ka përmendur arsimimin, ligjin e lehonisë, largimin e punëtorëve nga vendi.
























