Këshilli Protestues: Është e paprecedent që pasuria e MKRS po zhvendoset
Këshilli Protestues i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ka njoftuar se tashmë kabineti i ish- Ministrit të MKRS është duke përgatitur dokumentacionin dhe inventarin përkatës për zhvendosje në objektin privat.
Sipas këtij këshilli kjo po bëhet pa e përfillur asnjë procedurë administrative dhe në kundërshtim me ligjin.
“Është e paprecedent që pasuria e MKRS, po zhvendoset nga persona jo kompetent që më nuk kane asnjë përgjegjësi institucionale dhe pa dijeninë e shërbimit te administratës. Kjo le te gjykohet vet nga opinioni se çfarë do të thotë.
“Vlen të theksohet fakti se mandati i Ministrit në detyrë z. Kujtim Gashi ka përfunduar juridikisht me datë 27 nëntor 2019 me certifikimin zyrtar nga ana e KQZ- së të rezultatit të zgjedhjeve të datës 6 Tetor 2019”.
“Sipas listës zyrtare të KQZ-së, z. Gashi është zgjedhur deputet me çka i përfundon angazhimi në cilësinë e Ministrit në detyrë, sipas nenit 70 pika 2 e Kushtetutës së Kosovës në të cilën theksohet qartë se mandati i deputetit fillon me certifikimin e rezultatit zgjedhor ne lidhje me nenin 72 – papajtueshmëria e funksionit te deputetit. Për këtë gjë, jemi ne dijeni se ekziston edhe interpretim juridik nga ana e Zyrës Ligjore te Zyre se Kryeministrit ne vitin 2017. Çdo veprim i tij pas datës 27 nëntor 2019 është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”.
Ata i bëjnë thirrje stafit të ish – ministrit që të ndalojnë çdo veprim që janë duke e ndërmarrë për zhvendosje sepse siç thuhet “kjo përbën veprim të kundërligjshëm i cili cenon pasurinë dhe pronën e institucionit pa mandat dhe pa autorizim, si persona privat qe është e vepër e dënueshme.
“Ne do te vazhdojmë te kundërshtojmë fuqishëm këtë ‘projekt’ të dëmshëm për pronën publike, buxhetin dhe vet funksionalitetin e institucionit tonë.























