Kërkohet angazhim më i madh për punën vullnetare
BKT
Lajme

Kërkohet angazhim më i madh për punën vullnetare

Në kuadër të shënimit të Ditës ndërkombëtare të vullnetarizmit u kërkua angazhim më i madh për të vendosur punën vullnetare si prioritet te të rinjtë dhe qytetarët në Kosovë. Krahas kësaj u tha se vullnetarizmi në Kosovë është një traditë e kahershme dhe kjo po ringjallet.

Me moton “Të bëjmë punë vullnetare për një ardhmëri gjithëpërfshirëse”, shumë të rinj u mblodhën sot pasdite për të shënuar këtë ditë bashkë me përfaqësues të institucioneve dhe organizata ndërkombëtare.

Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini duke folur për vullnetarizmin, tha se janë duke bërë përpjekje që të nxirret një koncept-dokument në mënyrë që të nxitet puna vullnetare dhe jo që ajo të ngulfatet.

Ndërsa, drejtori i Departamentit për rini në kuadër të MKRS-së, Feim Hoxha inkurajoi të rinjtë për punën vullnetare, teksa përmendi disa prej iniciativave të ministrisë në shërbim të rinisë dhe vullnetarizmit.

Shefi i Misionit të OSBE në Kosovë, Jan Braathu duke folur për ndihmën vullnetare për Shqipërinë e prekur nga tërmeti javën e kaluar, tha se solidariteti dhe puna vullnetare është traditë në Kosovë. Për këtë ai tha se vullnetarizmi në Kosovë po ringjallet më shumë.

Kreu i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Shahin u shpreh se çelësi i vullnetarizmit është platforma që do të hartohet nga Qeveria.  Sipas tij kjo do t’i shërbejë shumë komuniteteve që kanë nevojë për punë vullnetare.

Ndryshe, Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit është ditë e caktuar nga Asambleja e Përgjithshme OKB-së në vitin 1985 dhe u dedikohet të gjithë atyre vullnetarëve të shumtë anembanë botës, të cilët sakrifikojnë interesat e tyre personale, në interes të shoqërisë dhe komunitetit.


MË SHUME NGA Lajme