Isak Guta, shkrimtari që ia kushtoi një jetë të tërë Aleksandër Moisiut
Sharr Travel

Isak Guta, shkrimtari që ia kushtoi një jetë të tërë Aleksandër Moisiut

Figura e aktorit të shquar shqiptar me famë botërore Aleksandër Moisiut është trajtuar nga shkrimtarë dhe nga historianë të ndryshëm vendas e të huaj në një kompleksitet të madh.

Moisiu nga shumë kritikë cilësohet si aktori më i madh i të gjitha kohërave në teatër. Njëri prej shkrimtarëve që ka shkruar për jetën dhe për veprën e Moisiut është edhe Isak Guta, i cili ka ecur mbi 45 vjet në gjurmë të jetës së Moisiut të madh. Ai ka mbledhur fakte që nga Çekosllovakia, nga Austria e nga Gjermania. Aty përfshihen fotografi të veçanta dhe dokumente të rralla, të cilat plotësojnë historinë jetësore të Moisiut. Guta ka realizuar shumë dokumentarë artistikë, ekspozita për “Javën e Moisiut” dhe ka bërë botimin e 6 librave mbi jetën e aktorit të madh. Vepra më e re e Gutës për Moisiun dhe më madhorja është “Emblema”, ku më pas si vazhdimësi e  këtij libri ai botoi edhe librin e 7-të, “Moisiu dhe bëma e librit”.

Detaje që pak ose aspak njerëz i dinë mund t’i gjejnë në librat e Gutës. Me rastin e jubileut të 140-vjetorit të lindjes së Aleksandër Moisiut, të mërkurën në Prishtinë u promovuan librat “Emblema” dhe “Moisiu dhe e bëma e librit” në ambientet e kinemasë “Armata”.

Para një audience të gjerë fillimisht u shfaq një dokumentar për kërkimet dhe për punën e palodhshme të autorit Guta kushtuar veprës dhe jetës të kolosit shqiptar Aleksandër Moisiut. Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Blerta Basholli, në  fjalën e saj të rastit tha se është shumë e rëndësishme të kemi mbrëmje të tilla dhe t’i kujtojmë figurat e mëdha të vendit. “Për aktorët e mëdhenj si Aleksandër Moisiu, si Bekim Fehmiu, si Faruk Begolli, si Istref Begolli e shumë të tjerë duhet të shkruhet, të lexohet dhe të diskutohet sa më shumë. Siç e kam diskutuar edhe me autorin Isak Guta, në njërin prej takimeve tona, fatkeqësitë natyrore që po ndodhin si rasti i tërmetit në Shqipëri mund të na i marrin njerëzit dhe pasuritë tona, por nuk mund të na i marrin mendjet, kujtesën dhe ndërgjegjen tonë, prandaj është e rëndësishme të organizohemi dhe t’i kujtojmë aktorët e mëdhenj”, tha Basholli.

Në ceremoninë e promovimit ishte i pranishëm edhe profesori Arsim Fehmiu, vëllai i të ndjerit Bekim Fehmiu, i cili në mbrëmjen e së mërkurës e kishte shumë të vështirë t’i gjente fjalët pas dokumentarit, që u shfaq duke thënë se kjo mbrëmje do të mbahet mend. Ai  tregoi se si rastësia i bëri bashkë me autorin dhe e uroi për punën e tij. “Unë kam lexuar ‘Emblemën’, e cila i ka 10 vlerësime nga ekspertët më eminentë me renome botërore për Aleksandër Moisiun. Prej tyre dua të veçoj njërin si më të veçantë për mua, vlerësimin që ia ka bërë regjisori Esat Oktrova. ‘Moisiu pa qenë gjerman u çmua si interpreti më i madh i Gëtes dhe i Schillerit, pa qenë rus u cilësua si interpreti më i madh i Tolstoit, pa qenë anglez u vlerësua si interpreti më i madh i Shekspirit’”, tha Fehmiu.

Libri i autorit Isak Guta pa dyshim se do të gjejë vend edhe në bibliotekën “Hivzi Sylejmani” për të gjithë lexuesit. Drejtori i Bibliotekës, Munish Hyseni, në fjalën e tij të rastit në ditën e promovimit dedikoi disa fjalë për autorin pas leximit të librit. “Mbi 40 vjet Isak Guta gjurmon nëpër qytete të mëdha të kulturës evropiane përmbledhje të sistemuar, e krijuar me dashuri të pafundme për artistin e madh Aleksandër Moisiu. Kjo punë e jashtëzakonshme kurorëzohet me librin voluminoz ‘Emblema’ që në njëfarë mënyre mund ta quajmë monografi, që mendoj se edhe me disa të dhëna mund të shndërrohet në një enciklopedi të vogël”, tha Hyseni.

Image

Libri është i ndarë ne tri pjesë. Pjesa e parë është më voluminoze. Kapitull pas kapitulli autori shtron jetën dhe veprën e Moisiut, është vepra më shtjelluese kushtuar figurës së ballit artistik të artit skenik botëror. Personazhi kryesor i mbrëmjes, ai që ia kushtoi një jetë të tërë Aleksandër Moisiut, në fund falënderoi të gjithë pjesëmarrësit. “Mirë se keni ardhur dhe shumë faleminderit për pjesëmarrje. Gëzohem që me projektin tim që kam punuar disa vjet, mbërrita në Prishtinë, ju falënderoj nga zemra”.
Me rastin e kësaj ditë të shënuar disa studentë nga Akademia e Arteve recituan një poezi kushtuar aktorit më të madh të të gjitha kohërave.