Video: Nxënësit sprovuan njohuritë e fituara nga shkolla dhe jeta
Valbona Tahiri RTK
Në testin ndërkombëtar PISA 2018, nxënësit kosovarë sprovuan njohuritë e tyre në fushën e leximit, atë të matematikës dhe shkencës. Edhe herën e dytë Kosova doli me rezultate në fund të listës së vendeve pjesëmarrëse në këtë testim.
Por cilat ishin disa nga ato pyetje të cilat nxënësit kosovarë nuk arritën që t'u jepnin përgjigje të sakta? RTK sjell disa prej tyre, ndonëse e përbashkëta e të gjithave është se nxënësit nuk kanë pasur nevojë të mësojnë përmendsh, por thjesht të mendojnë racionalisht.
PISA nuk i publikon të gjitha pyetjet e testit. Por, për të pasur ide se si duket një test i tillë, janë publikuar tri tregime të pjesës së leximit që janë përdorur në PISA 2018. Secila prej tyre ka nga 7 pyetje.
Të gjitha pyetjet janë logjike dhe nuk ka pasur nevojë të mësohen përmendsh. Në rastin konkret, në tregimin “Forumi Shëndeti i Pulave”, shtjellohet tema kur tezja e një vajze është e shqetësuar për pulën e saj të sëmurë dhe nuk e di nëse mund t’i japë aspirinë. Prandaj ajo pyet në një forum në internet.
“... a mund t’i jap aspirinë pulës së lënduar...
...Sa shpesh mund t’i jap aspirinë pulës së lënduar...
...Si të kontaktoj veterinarin për pulën e lënduar...
...Nëse mund ta përcaktojë nivelin e dhembjes të një pule të lënduar...”
Në këtë rast përgjigje e saktë do të duhej të ishte alternativa e parë, pra a mund t’i japë aspirinë pulës.
Në tregimin e dytë të titulluar “Rapa Nui”, në pyetjen e dytë fëmijët duhet me fjalët e tyre të tregojnë se cili është vazhdimi i frazës “Një mister tjetër mbetet...”, që paraqiti në blogun e saj profesoresha. Pyetja është:
“...Cilit mister i referohet ajo?...”
Dhe përgjigjja e bazuar në shkrim do të duhej të ishte:
“...një mister tjetër kishte mbetur zhvendosja e statujave “Moai”. Por kjo çështje u zgjidh në vitin 1990 kur një grup arkeologësh treguan se statujat ishin transportuar me anë të litarëve në ishullin Rapa Nui...”
Tregimi i tretë është “Qumështi i Lopës” në të cilin paraqiten shkrime mbi konsumimin ose jo të këtij lloji të qumështit.
Përgjigjja e pyetjes së parë e bazuar mbi shkrimin: “Vlera Ushqyese e Qumështit: Përfitime të Panumërta!”, nga katër opsione, është dashur të ishte:
"...Qumështi është burim i mirë i vitaminave thelbësore dhe mineraleve".
Pyetjet e parashtruara në fushën e leximit në testin PISA kanë si qëllim matjen e njohurive, shkathtësisë dhe strategjisë së një nxënësi të cilat i ka akumuluar gjatë jetës në kontekste të ndryshme nga shkolla, bashkëmoshatarët e tyre dhe nga vetë jeta.























