Luftimi i korrupsionit vazhdon të jetë sfidë për sistemin gjyqësor

Luftimi i korrupsionit vazhdon të jetë sfidë për sistemin gjyqësor

Sistemi gjyqësor në Kosovë vazhdon të përballet me probleme të shumta, ku si sfidë kryesore edhe gjatë këtij viti ka qenë lufta kundër korrupsionit. Për luftimin e korrupsionit thuhet se rezultatet e deritanishme nuk janë të kënaqshme, derisa janë kërkuar rezultate konkrete.

Sfidë e sistemit gjyqësor vazhdon të jetë edhe numri i madh i lëndëve të pazgjidhura, konfiskimi i pasurisë, shtyrja e paarsyetuar e seancave gjyqësore, si dhe anulimi apo prishja e vendimeve nga gjykatat më të larta.

Këto janë thënë në konferencën e nëntë gjyqësore të organizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, që si temë ka pasur “Të arriturat dhe sfidat e sistemit gjyqësor gjatë vitit 2019.   

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj tha se viti që po e lëmë pas mund të konsiderohet si një vit i suksesshëm për sistemin gjyqësor në përgjithësi, pasi sipas tij, ka pasur ndryshime pozitive në sistemin gjyqësor gjatë këtij viti.

Përkundër që tha se viti 2019 ka qenë i suksesshëm, Çoçaj potencoi se gjatë këtij viti kanë pasur edhe shumë sfida, për çka theksoi se nevojitet përpjekje më e madhe nga të gjithë për të përmirësuar cilësinë e funksionimit të gjykatave.

Çoçaj u shpreh se duhet një angazhim edhe më i madh dhe serioz, derisa tha se do të vazhdojnë të punojnë drejtë realizimit të synimeve të tyte për një sistem më të mirë gjyqësor.

Kurse, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës Enver Peci, tha se përkundër që mund të thuhet se sistemi gjyqësor ka shënuar progres, ka ende sfida me të cilat përballen.

Ai tha se si sfidë kryesore me të cilën ballafaqohet sistemi i drejtësisë është lufta kundër korrupsionit, e që sipas tij rezultatet e deritanishme nuk janë të kënaqshme.

Kreu i Gjykatës Supreme deklaroi se gjyqësori si pushtet i veçantë duhet të jetë roje e demokracisë, sundimit të së drejtës dhe drejtave të njeriut dhe se vetëm gjyqësori i pavarur mund të mbrojë vlerat demokratike kundër interesave politike. Ai tha se gjyqtarët duhet të jenë të gatshëm dhe të përgatitur që në punën e tyre të udhëhiqen vetëm nga ligji dhe arsyeja e shëndosh dhe t’u bëjnë ballë presioneve e të mos bien në ndikimet e askujt, sipas tij, vetëm ata gjyqtarë që munden të mbrojnë pavarësinë e tyre mund të përmbushin rolin e tyre në tërësi.

Si të arritur të sistemit gjyqësor e ka quajtur fillimin e punës së departamentit special, që sipas tij, krijimi dhe funksionimi i tij do të sjell risi sa i përket trajtimit të rasteve më të rënda penale.

Ai tha se problem në vazhdimësi po paraqitet shtyrja e paarsyetuar e seancave gjyqësore, si dhe anulimi apo prishja e vendimeve nga gjykatat më të larta. Problem kyç edhe këtë vit për të është politika ndëshkimore, ku ai tha se udhëzuesi i miratuar nga Gjykata Supreme të Kosovës nuk po respektohet.

Sfidë ai tha se është edhe konfiskimi i pasurisë i kryerësve të veprave penale, ai tha se ka pak konfiskim dhe se nevojitet një përkushtim më i madh në këtë drejtim.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se gjyqësori ka marrë një dimension të ri e kuptimplotë gjatë dy viteve të fundit.

Tahiri tha se sundimi i ligjit është temë e karakterit kombëtar që tejkalon politikën dhe përditshmërinë e saj.

Ai tha se është shënuar një punë relativisht e mirë në reduktimin e lëndëve të pazgjidhura dhe se është rritur cilësia në punën e gjyqësorit.

Konferenca e nëntë gjyqësore është mbështetur nga OSBE, ku shefi i këtij misionit Jan Braathu, potencoi se në një sistem demokratik të qeverisjes është kryesore që pavarësia dhe transparenca e gjyqësorit të mbetet shtylla themelore e sundimit të ligjit.

Ai tha se viteve të fundit është rritur besimi i qytetarëve në gjykata dhe prokurori, për çka tha se është një hap pozitiv. Ndërkaq, ka pasur kritika sa i përket punës së gjykatave në trajtimin e lëndëve, ku përmendi se ka shumë vonesa në gjykime, aktakuza të hartuara në mënyrë jo adekuate e disa probleme të tjera.

Kurse, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, tha se nevoja për mbështetjen e sistemit të drejtësisë është e madhe.

Në anën tjetër, shefi për Sundimin e Ligjit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Cezary Michalczuk, derisa ka përmendur disa nga të arriturat e sistemit gjyqësor të Kosovës, tha se sfidë mbetet zbatimi i ligjit për kompetenca të zgjeruara të konfiskimit.

Në konferencën e nëntë gjyqësore ka marrë pjesë edhe zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor të Shqipërisë, Maksim Qoku, i cili tha se për Shqipërinë mbetet sfidë numri i vogël i gjyqtarëve.

Konferenca e nëntë gjyqësore, që këtë vit kishte për temë “Të arriturat dhe sfidat e sistemit gjyqësor gjatë vitit 2019” është organizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës e mbështetur nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE)