Handke nuk la gazetarë brenda gjatë fjalimit të tij të Nobelit
Sharr Travel

Handke nuk la gazetarë brenda gjatë fjalimit të tij të Nobelit

Shkrimtari austriak, Peter Handke, të shtunën i kushtoi fjalimin e tij të Nobelit pyetjeve letrare, duke shmangur kështu polemikat rreth qëndrimeve të tija pro-serbe që detyruan Kosovën të bojkotojë ceremoninë e ndarjes së çmimeve javën e ardhshme.

Laureati i Çmimit Nobel për Letërsi 2019 diskutoi rolin e kujtimeve në punën e tij, në një fjalim para ceremonisë së ndarjes së çmimeve të martën.

Asnjë gazetar nuk u lejua të marrë pjesë në këtë ngjarje. Një burim i afërt me organizatorët i ka thënë AFP-së se kjo u bë “për shkaqe të sigurisë”, transmeton koha.net, përcjell albinfo.ch

Por fjalimi u transmetua direkt online nga komiteti i Nobelit.

Të shtunën, ministri në detyrë i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, tha se i dërguari i vendit tonë në Suedi nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Stokholm të martën, në shenjë proteste për mbështetjen e Handkes ndaj serbëve në luftërat e viteve të ’90-ta në ish-Jugosllavi.

Përzgjedhja e Akademisë suedeze për çmimin e këtij viti, që u shpall në tetor, nxiti zemërim të madh në Ballkan dhe më gjerë për shkak të admirimit të Handkes ndaj liderit serb të ndjerë, Sllobodan Millosheviq.

Ky çmim u prit më së keqi në Kosovë, një ish-provincë kjo e Serbisë derisa nuk u shkëput nga ajo në luftën e viteve 1998-99 ku Serbia kreu krime mizori masive.

Dy anëtarë të komitetit të Nobelit dhanë dorëheqje për shkak të kësaj përzgjedhjeje gjatë kësaj jave dhe një anëtar i Akademisë suedeze, historiani dhe shkrimtari Peter Englund, tha se do ta bojkotojë ceremoninë.


MË SHUME NGA Kulturë