Besart Berisha thellon rekordin, Basha dorëzohet në derbi
BKT
Sport

Besart Berisha thellon rekordin, Basha dorëzohet në derbi

Western United ka përmbysur Melbourne Victory falë dy shqiptarëve, që fituan derbin me Migjen Bashën.

Besart Berisha dhe Panajot Kone kanë shënuar tre gola dhe i kanë dhënë skuadrës së tyre fitoren me rezultatin 3-1. Sulmuesi dardan ishte ai që barazoi shifrat në 1-1, me një goditje me kokë.

Kone, i cili refuzoi Shqipërinë për Greqinë, realizoi golin e avantazhit për Western United dhe pa u mbyllur pjesa e parë e takimit, ishte Berisha që sërish me një goditje me kokë e dërgoi sërish topin në rrjetë dhe i mbylli të gjitha llogaritë.

Western United po bën një sezon të kënaqshëm, teksa numëron 13 pikë pas nëntë ndeshjes në A-League në Australi. Për t’u rikthyer te Berisha, ai vijon ta thellojë rekordin e golave të shënuar në kampionatin australian.

Me dygolëshin e sotshëm ai ka shkuar në pesë gola sezonalë, ndërkohë që në total numëron 121 rrjeta të tundura, më shumë se kushdo tjetër në futbollin australian.

Sulmuesi 34-vjeçar me shumë mundësi do të vijojë të shënojë të tjerë gola në vazhdim, pasi duket në një formë të mirë.