Rektorit Dema nderohet me titullin “Krenaria e Mirditës”
Sharr Travel

Rektorit Dema nderohet me titullin “Krenaria e Mirditës”

​Akademia Artit, Shkencës dhe Letrave "Mirdita", në takimin jubilar të mbajtur dje në Pallatin e Muzeut Kombëtar në Tiranë, ka organizuar veprimtarinë “Festë çmimesh dhe titujsh nderi”, ku nderuan personalitetet më me zë nga kjo trevë.

Titulli “Krenaria e Mirditës”, çmimi më i lartë i Akademisë, iu nda rektorit të Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, për kontribute të larta kombëtare në arsimin dhe kulturimin e të rinjve shqiptar - kontributor në pajtimin dhe paqëtimin kombëtar.

Rektori Dema, në fjalën e tij përshëndetëse, fillimisht shprehu ngushëllime për viktimat e tragjedisë të tërmetit që goditi një pjesë të Shqipërisë, duke informuar njëherësh për aktivizimin që kanë treguar studentët dhe stafi i UP-së, të cilët përmes ekspertizave dhe vullnetarizmit, kanë kontribuuar në tejkalimin e pasojave që la ai. Në anën tjetër, ai u shpreh shumë i lumtur për nderimin që i është bërë me ndarjen e këtij çmimi.

“Ky çmim është shumë i veçantë për mua sepse në venat e mija qarkullon gjak mirditor, ngaqë nëna ime ishte mirditore. Nga ajo mësova shumë vlera të çmueshme të mirditorëve, të cilat më ndihmuan në formësimin tim dhe me inspiruan gjatë gjithë jetës sime. Nëna ime i mbylli sytë për herë të fundit pa i takuar kurrë të afërmit e saj” tha Dema.

Titullin Krenaria e Mirditës, rektorit Dema, ia dorëzoi kryetari i Akademisë, Pjetër Marku, ndërkaq aktiviteti u organizua nën patronatin e Bashkisë së Mirditës.

Në këtë aktivitet, me tituj nderi post-mortum, u nderuan edhe profesor Anton Çeta dhe akademik Zef Mirdita, të dy me prejardhje mirditore.