Abbott: Politika të bëhet shtysë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve
Edhe 20 vite pas luftës familjarëve të personave të zhdukur po u shkelen të drejtat e njeriut, pasi që ende nuk e dinë për vendndodhjen e më të dashurve të tyre që u zhdukën gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kështu u tha në tryezën “Çështja e personave të zhdukur në udhëkryq”, e organizuar nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Kosovë dhe Ambasadës Amerikane në Kosovë me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.
Udhëheqës i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini tha se çdo ditë familjarëve të personave të zhdukur po u shkelen të drejtat e njeriut.
Sipas tij zbardhja e fatit të familjarëve të tyre të zhdukur ka mbetur në udhëkryq e ende nuk po dihet se kush është fajtori.
Çerkini pati edhe një pakënaqësi se si u deshën 13 vite që institucionet e Kosovës të gërmojnë në varrezat e myslimanëve në veri të Mitrovicës.
Edhe Milorad Trifunoviç po nga kjo Qendër deklaroi se asnjë informatë nuk kanë se ku mund të ndodhen familjarët e tyre të zhdukur dhe kjo po e bënë jetën e tyre të vështirë.
Sipas tij, familjarët kanë të drejtë ta dinë e ku ndodhen të pagjeturit.
Ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott derisa ka thënë se çështja e të pagjeturve vazhdon të mbetet plagë e hapur për Kosovë, bëri thirrje që politika të jetë lëvizëse dhe të shtyjë përpara zbardhjen e fatit të personave të zhdukur e jo ta pengojë atë.
Sipas tij një hap i mirë në këtë drejtim kishin bërë qeveria e Kosovës dhe ato të rajonit në samitin e Londrës.
Teksa ofroi përkrahjen e Mbretërisë së Bashkuar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur ambasadori britanik tha se zgjidhja e kësaj çështja është përmbushje e të drejtave të njeriut.
Bartësi i Dosjes së Personave të Zhdukurve, Jahja Lluka tha se qeveria e Kosovës ka punuar vazhdimisht që të dihet për vendndodhjen e personave të zhdukur, por që si pengesë në këtë proces po e konsideron Serbinë.
Këshilltari i kryeministrit në detyrë tutje tha se kjo politikë e udhëheqësve të Serbisë karshi zbardhjes së fatit të të zhdukurve do të pengojë edhe pajtimin dhe marrëdhëniet e mira mes dy shteteve.
Lluka madje pati edhe një selam për kryeministrinë e Serbisë, Aleksandër Vuçiç i cili e ka quajtur trillim masakrën e Reçakut.
Në Kosovë edhe 20 vite pas luftës ende nuk dihet fati edhe i mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit 1998-99.























