Lansohet instrumenti për vlerësimin pedagogjik të fëmijëve në Kosovë
Sharr Travel

Lansohet instrumenti për vlerësimin pedagogjik të fëmijëve në Kosovë

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), me mbështetje të Save the Children, ka lansuar sot Instrumentet për vlerësimin pedagogjik të fëmijëve me nevoja të veçanta në Kosovë.

Këto instrumente janë hartuar nga MAShT në bashkëpunim me grupin punues, të përbërë nga anëtarë të ekipeve vlerësuese komunale, të udhëhequr nga profesorë të Universitetit të Bolonjës dhe Universitetit të Padovës.

Të pranishmit i përshëndeti këshilltari i ministrit, Fatmir Bytyqi, i cili ndër të tjera tha se arsimimi i fëmijëve me nevoja të veçanta është sfidë e përgjithshme, ndërsa theksoi se MAShT angazhohet në mënyrë të vazhdueshme që të sigurojë qasje në arsim për të gjithë, e veçanërisht që të ofrojë arsimim adekuat për fëmijët me nevoja të veçanta.

Për rëndësinë e arsimimit të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe mbështetjen e Save the Children në këtë drejtim, foli drejtori i kësaj organizate, Ahmet Kryeziu, i cili tha se janë duke punuar për të përmirësuar të drejtat e fëmijëve e sidomos arsimin e fëmijëve me nevoja të veçanta

Kryeziu tha se çdo fëmijë ka të drejtë të ndihet i sigurtë dhe i mbrojtur, të ketë qasje në arsim, t’i shpreh pikëpamjet e tij dhe të jetë i shëndetshëm e të mos neglizhohen.

Në emër të organizatave me aftësi të kufizuara, Bujar Kadriu, tha se fëmijët me aftësi të kufizuara duhet të jenë të përfshirë në arsim sepse pa një integrim të atyre fëmijëve nuk do të kemi edukim të mirë

Ai iu bën thirrje komunave të cilat praktikisht ende nuk kanë hapur konkurset për të pranuar asistent të fëmijëve me nevoja te veçanta, ta përmbushin atë obligim.

E profesoresha nga Universitetit të Bolonjës, Roberta Kalding tha se tematika e këtij projekti është klasifikimi i funksionimit i cili ndërlidhet me të gjithë personat në veçanti me personat me aftësi të kufizuara

Përmes këtyre instrumenteve, MASHT synon që të lehtësojë punën e ekipeve vlerësuese komunale në vlerësimin pedagogjik të fëmijëve me nevoja të veçanta, si dhe të fuqizojë bashkëpunimin mes mësimdhënësve dhe ekipit vlerësues në nivel komunal.


MË SHUME NGA Aktuale