“Parasite” – filmi fitues në Kanë
Sharr Travel

“Parasite” – filmi fitues në Kanë

Ballsor Hoxha

Filmi Parazit, në regji të regjisorit Bon Joon Ho me aktorët kryesor Kang Ho Song, Woo Sik Choi dhe So Dam Park, fitues i çmimit kryesor në Kanë është sigurisht ndër filmat me bukuri të rrallë dhe spektakulare.

Ky film është një lojë regjisoriale prej skenave minimale dhe krejtësisht intime e deri tek skenat gjigante me inskenim të vërshimës në një pjesë të madhe të qytetit. Regjisura e tij krijon një role – a – coaster të rrjedhës së filmit prej familjes parazite e cila është e mbyllur në një bodrum para dritareve të të cilit urinojnë pijanecët e qytetit, e deri tek vërshima masive në qytet, dhe në një masakër krejtësisht spontane në oborrin e një shtëpie tmerrësisht luksoze.

Me qenë se skenari është një dinamikë ndërmjet shtresave të shoqërisë koerano jugore, ai përfshinë konfliktin ndërmjet tyre. Mirëpo jo si konflikt dhune dhe as drejtësie por në të vërtetë i shpërfaq të gjitha së bashku si parazitësi të njërës ndaj tjetrës.

Në këtë film, familja protagoniste fillon një jetë parazitore në kurrizin e një familjeje tjetër të klasës së ultë dhe ndaj një familjeje me pasuri të pafund. Po ashtu në të njëjtën kohë edhe familja e klasës së lartë fillon të jetojë në kurriz të familjes protagoniste duke e nënshtruar dhe duke e shfrytëzuar po të njëjtën.

Është lojë e bukur e filmit i cili shquan anën parazite të shoqërisë koreano jugore, e cila ka humbur fillin e të njerëzishmes dhe në të vërtetë jetohet pa një përpjekje për të vendosur personalen brenda humanes, brenda etikës dhe brenda raportit të njërit me tjetrin.

Të gjitha jetët parazite përfundojnë ashtu siç edhe ndodh në realitet, duke rënë në kurthin e saj. Tri familjet në film në një mënyrë gjejnë drejtësinë poetike, por jo atë ligjore për të gjitha krimet, parazitësitë dhe shfrytëzimet çnjerëzore.

Tri familje si protagoniste të filmit janë të ndërthurura me vete përmes krimit dhe parazites, kështu duke krijuar zinxhirë të pamerituarës në dëm të anës njerëzore të tyre. Kompleksi i kësaj shoqërie është një ndërthurje e pshqitshme e nevojës për të pasur sukes, dorëzimit ndaj mashtrimeve dhe harrimit të mënyrës si jetohet për familjen protagoniste të klasës së lartë.

Ideja kryesorenë film është dorëzimi i njeriut përballë jetës, dhe në këtë, kalimit të tij në të huaj ndaj jetës së tij. Shembull në këtë është kompleksimi i rrëfimit në fëmijën e familjes protagoniste të klasë së të pasurve. Derisa djali i tyre është fëmijë i traumatizuar, ai shndërrohet në gjeni pa ndonjë kuptim dhe as dëshmi për këtë; gjë që i shtyen prindërit të besojnë djalin e tyre në duart e mashtruesve më të pashpirtë, dhe aq më shumë të kaluarit e po të njëjtëve në shpëtimtarë etj. Ky fëmijë në të vërtetë bëhet pika e fokusit të këtij filmi duke qenë kompleksi i papërgjegjësisë ndaj jetës dhe dorëzimit të kësaj shoqërie përballë jetës dhe vështirësive të saj.

Filmi “Parasite” i Bon Joon Ho është film i rrallë i cili tronditë me bukurinë e tij, në skenat e tij, në lojën e aktorëve dhe në skenarin e tij. Ky film krijon një lojë krejtësisht origjinale të ndërthurjes së fateve dhe të qëllimeve në jetë të protagonistëve duke e kaluar shikuesin në situata krejtësisht të paparashikueshme, përmes ndërtimit të një ideje krejtësisht jokonvencionale.