Çështjet e mjedisit shqetësojnë kosovarët
Sharr Travel

Çështjet e mjedisit shqetësojnë kosovarët

Avokati i Popullit në bashkëpunim me shoqërinë civile në Kosovë, për të tretin vit me radhë vazhduan me iniciativën e përbashkët për shënimin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Me moton “Çohu për të drejtat e njeriut”, kjo iniciativë ka për qëllim dërgimin e një mesazhi të fuqishëm për angazhim të shtuar gjithëpërfshirës dhe ndërinstitucional për promovimin dhe edukimin mbi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari tha se, problemet e kosovarëve vazhdojnë të jenë të lidhura me ndotjen e ajrit, ujin e papijshëm, ndërtimet pa leje, sipërfaqet e vogla gjelbëruese e shumë të tjera, e që sipas tije të gjitha këto probleme kanë ardhur për shkak se prokuroritë dhe gjykatat nuk i dhanë prioritet lëndëve që kanë të bëjnë me ambientin.

“Prokuroritë dhe gjykatat vazhdojnë të mos i japin prioritet lëndëve që kanë të bëjnë dhe lidhen me mjedisin, ka vazhduar ndërtimi i objekteve pa u respektuar parimet në vijim, pra lartësia e lejuar në raport me lartësinë nga kufiri i parcelës kadastrale përgjatë rrugëve publike, përqindja e sipërfaqes së përgjithshme të gjelbërimit për absorbimin e reshjeve atmosferike në raport me sipërfaqen e parcelës kadastrale, kërkesat minimale për vend parkingje, e drejta e ndriçimit natyror, kufizimet e ndotjes mjedisore dhe zhurmës. Nuk ka pasur asnjë përmirësim në mbikëqyrjen e inspektimeve dhe inspektimit final. Institucionet shtetërore ende nuk kanë filluar të ndërmarrin veprime serioze për t’iu bashkangjitur iniciativës globale lidhur me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm”, tha Jashari

Jashari tha se shpreson që këto probleme do të jenw objektiv kryesor në vitin vijues dhe në pushtetin e ardhshëm, në mënyrë që të sigurojmë një ambient të shëndetshëm.

Nga shoqëria civile, Jeta Xharra tha se arsyeja pse qytetarët e Kosovës jetojnë 10 vite më pak se evropianët është për shkak të ajrit të keq që e thithim, e sipas saj të gjitha këto gjëra po ndodhin për shkak të projekteve që kanë dalw nga partitë politike.

Tutje Xharra tha se, rezultatet e PISA-s nuk janë të tilla vetëm për shkak të arsimit dhe të mësueseve të dobët që i kemi, po për shkak se qymyri po dëshmohet me studimet e fundit të organizatës ndërkombëtare shëndetësore se ndikon direkt në sistemin nervor.