Gjykata e Ferizajt merr çmimin e Gjykatës më transparente
BKT
Lajme

Gjykata e Ferizajt merr çmimin e Gjykatës më transparente

RTKlive

Gjyqësori në Kosovë ka shënuar rritje të transparencës, ku qytetarët përveç që mund të marrin pjesë në seanca, gjykatat publikojnë edhe aktgjykimet në faqet e tyre.

Gjykata Themelore në Ferizaj, përkatësisht kryetari i kësaj Gjykate Bashkim Hyseni, ka pranuar çmimin Gjykata më Transparente në Kosovë – për dedikim të vazhdueshëm në ngritjen e transparencës përmes publikimit të aktgjykimeve, e ndarë gjatë konferencës për transparencën e Gjyqësorit e cila po organizohet nga BIRN dhe lëvizja FOL, me mbështetjen e programit të USAID – JSSP.


Kryetari i kësaj Gjykate Bashkim Hyseni pas pranimit të çmimit, para të pranishmëve deklaroi se ky çmim i dedikohet të gjithë stafit të gjykatës së Ferizajt.


“Kjo reflekton më së miri angazhimin dhe përpjekjet tona në përditshmëri për të arritur që Gjykatat tona të jenë gjykata tërësisht të hapura për publikun, dhe që në rrugëtimin tonë të bëjmë që gjykatat kosovare të jenë në tërësi ekuivalente sa i përket transparencës me gjykatat e unionit evropian. Ky çmim i dedikohet të gjithë stafit, e në veçanti zyrës për informim që kanë qenë të përkushtuar çdo ditë maksimalisht që të arrihet ky standard i arritur”, deklaroi Hyseni.


Nga statistikat e publikuara me këtë rast lidhur me aktgjykimet e publikuara në ueb portalin gjyqësor, Gjykata Themelorë në Ferizaj, ka të publikuara 1.245 aktgjykime, ndërsa gjyqtari me më së shumti aktgjykime të publikuara është Fitore Daci – Krivanjeva po ashtu gjyqtare e Gjykatës Themelore në Ferizaj

 

Kurse zyrtarja për Demokraci dhe Qeverisje e USAID-it në Kosovë, Christina Davies, tha se gjyqësori sot është më transparent.

"Qytetarët sot janë më të informuar se çka ndodhë brenda sallave të gjykimit. Ne presim që të kemi një bashkëpunim më të suksesshëm dhe t’i tregojmë qytetarëve se gjyqësori nuk është vetëm transparent por edhe llogaridhënës", tha ajo.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, tha se në vazhdimësi janë duke punuar për të rritur transparencën e gjyqësorit.

Këshilltare ligjore në FOL, Nora Bajrami, ka bërë prezantimin rreth publikimit të aktgjykimeve të Gjykatave, ku tha se në gjykatat nga 1 maj deri më 15 nëntor kanë publikuar 6 mijë e 611 aktgjykime.

"Kemi vërejtur një progres në transparencën e gjyqësorit dhe gjykatave. 10 mijë e 184 aktgjykime të publikuara nga janari 2016 deri në prill 2019. 6 mijë e 611 aktgjykime në publikuara nga fillimi i monitorimit 1 maj deri me 15 nëntor. Pra, rreth 1 mijë për muaj", tha ajo.

 


MË SHUME NGA Lajme