Vetëvendosje iu premton zjarrfikësve zgjidhje përmbajtësore
Anëtarët e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje Xhelal Sveçla dhe Kreshnik Ahmeti, si dhe deputeti Hekuran Murati, kanë takuar sot Sindikatën e Zjarrfikësve.
Zjarrfikësit në takim treguan për gjendjen e tyre të vështirë.
“Përfaqësuesit e sindikatës njoftuan zyrtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me gjendjen e tyre të vështirë të punës, e cila shkaktohet nga paqartësia e statusit të tyre juridik, mungesa e investimeve në pajisje, numri i pamjaftueshëm i zjarrfikësve në vend, pagat e ulëta dhe shumë probleme të tjera të cilat vështirësojnë punën dhe jetën e zjarrfikësve “- thuhet në njoftimin e LVV-së.
Ata theksuan se nuk janë trajtuar seriozisht nga qeveritë e kaluara.
“Në takim pati pajtueshmëri që këto problematika të zjarrfikësve nuk janë trajtuar në mënyrë serioze dhe nuk janë synuar zgjidhje afatgjata nga qeveritë e kaluara. Zjarrfikësit kanë mbetur pa status juridik të qartë dhe pa mbështetje institucionale për më shumë se një dekadë dhe nuk është investuar në kapacitete të tyre operative sipas nevojave të cilat i ka ky institucion i rëndësishëm i Republikës “.
Ndërkaq në këtë takim u premtua se do të gjendet një zgjidhje përmbajtësore për zjarrfikësit e Kosovës.
“Takimi përfundoi me dakordim për ta vazhduar bashkëpunimin e afërt dhe të mirë, siç ka qenë deri më tani, dhe që së bashku me sindikatën dhe njohësit e fushës, qeveria e re të gjejë zgjidhje përmbajtësore dhe afatgjata për problemet me të cilat zjarrfikësit po përballen në secilën minutë të punës së tyre, e cila është bërë edhe më e rrezikshme për shkak të neglizhencës institucionale “.























