"Të pezullohet çdo grevë për aq kohë sa zgjatë pezullimi i Ligjit për Paga"
BKT
Lajme

"Të pezullohet çdo grevë për aq kohë sa zgjatë pezullimi i Ligjit për Paga"

Gjykata Kushtetuese e Kosovës , të enjten e ka miratuar kërkesën e Avokatit të Popullit për pezullim të përkohshëm të Ligjit për paga duke e ndaluar për tre ( 3 ) muaj zbatimin e këtij Ligji deri në një vendim përfundimtar.

Pas kësaj filloi një sulm kundër Institucionit të Avokatit të Popullit i cili , me kërkesën për shqyrtimin e kushtetushmërisë së këtij Ligji nuk doli kundër atyre që përfituan me këtë Ligj ( pala e kënaqur ) por doli në mbrojtje të atyre që nuk përfituan nga ky Ligj ( pala e pakënaqur ) dhe të cilët iu drejtuan Avokatit të Popullit . Kërkesa e Avokatit të Popullit drejtuar Gjykatës Kushtetuese është në kuadër të mandatit kushtetues të IAP –it dhe , në rast se nuk do t’i drejtohej Gjykatës për trajtim të kërkesës së palës së pakënaqur , Avokati i Popullit do të shkelte Kushtetutën e Kosovës prandaj për KMDLNj –në është i papranueshëm sulmi dhe linçimi që i bëhet Avokatit të Popullit për rastin në fjalë. Në kohën kur në Kuvendin e Kosovës u miratua Ligji për paga , pjesa dërmuese e shoqërisë civile këtë ligj e kundërshtoi si diskriminues dhe në kundërshtim me Kushtetutën kurse tani pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës e pezulloi përkohësisht zbatimin e këtij Ligji , për habi kemi një heshtje të plotë dhe të paarsyeshme të shoqërisë civile!

Edhe para marrjes së vendimit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës , Sindikata e Bashkuar e Arsimit , Federata Sindikale e Shëndetësisë dhe Sindikata e Policisë deklaruan se nëse Gjykata Kushtetuese merr vendim që kundërshton zbatimin e Ligjit për paga , këto tri sindikata do ta ftojnë anëtarësinë , fillimisht për një grevë paralajmëruese e pastaj për një grevë të përgjithshme.

Me thirrje të SBASHK-ut , si paralajmërim sot nuk u mbajtën dy orët e para të mësimit sikur që edhe personeli shëndetësorë bëri grevë kurse Sindikata e Policisë mbeti të vendosë sot për veprimet që do t’i ndërmarrë .

KMDLNj e njeh dhe e pranon veprimin sindikalist deri në atë masë që nuk e rrezikon palën tjetër përkatësisht nëse shkaktohet dëm i madh dhe i përgjithshëm , rrezikohet shëndeti dhe jeta e qytetarëve sikur kur rrezikohet edhe siguria personale dhe e përgjithshme e qytetarëve. Greva e përgjithshme e paralajmëruar e këtyre tri organizatave sindikale, nëse realizohet siç po deklarohet përbëjnë këto tri komponente të shënuara më lartë prandaj , sipas KMDLNj –së e tejkalojnë veprimin e lejuar sindikalist . KMDLNj shpreson dhe beson se , për shkak të natyrës së punës , Federata Sindikale e Shëndetësisë dhe Sindikata e Policisë nuk do të bëjnë grevë të përgjithshme për faktin se seriozisht do të rrezikohej shëndeti i qytetarëve të Kosovës , siguria e qytetarëve por edhe stabiliteti i Kosovës. Ndërkaq , SBASHK-u , në vend se të merr përgjegjësi për rezultate katastrofale në testin e PISA-së , me grevën e paralajmëruar , në mënyrë aktive po kontribuon në degradimin e sistemit arsimorë duke legalizuar në këtë mënyrë analfabetizmin funksional. Me grevën në arsim , më parë dhe tani , SBASHK-u po ua shkel në mënyrë flagrante të drejtat e nxënësve për mësimnxënie, si njëra ndër të drejtat elementare të njeriut sikur po i dëmton edhe prindërit që investojnë materialisht dhe jo vetëm materialisht në fëmijët e tyre ndërkaq që SBASHK-u ua mohon të gjitha të drejtat , edhe si nxënës , edhe si prindër ! Në rrethana kur procesi mësimorë është lënduar dhe dëmtuar deri në degradim të skajshëm , prindërit nuk duhet t’u binden SBASHK-ut por duhet t’i dërgojnë fëmijët në shkolla . Askush nuk ka të drejtë që , në emër të përfitimeve personale dhe grupore të dëmtojë një numër aq të madh të nxënësve sikur që çdo rritje e pagave duhet të jetë në përputhje me ngritjen e performancës e që në rastin konkret është pikërisht e kundërta .

KMDLNj ia përkujton opinionit sikur edhe atyre që thërrasin në protesta të përgjithshme se Kodi Penal i Republikës së Kosovës sanksionon disa situata lidhur me këtë çështje dhe të ngjashme si atë :

Neni 205 – cenimi i së drejtës për ushtrimin e mjetit juridik

Kushdo që në mënyrë të kundërligjshme pengon personin tjetër që të shfrytëzojë të drejtën e tij për paraqitjen e lutjes , kallëzimit penal , lutjes, padisë , ankesës , kundërshtimit apo të ndonjë mjeti tjetër juridik , dënohet me gjobë ose me burgim deri në një ( 1 ) vit.

Kur vepra penali nga paragrafi 1 i këtij neni kryhet nga personi zyrtar në keqpërdorim të pozitës apo autorizimeve të tij, kryesi dënohet me burgim prej tre (  3 ) muaj deri në tre ( 3 ) vjet.

Neni 222 – Keqpërdorimi i të drejtës në grevë :

Kushdo që në kundërshtim me Ligjin organizon apo udhëheq grevën edhe nëse nuk ka elemente të ndonjë vepre tjetër penale dënohet me gjobë ose burgim deri në një ( 1 ) vit.

Kushdo q[ në kundërshtim me Ligjin organizon apo udhëheq grevën e cila shkakton dëm në shkallë të madhe , humbje në shkallë të madhe ose rrezikon jetën apo shëndetin e personave dhe nëse nuk ka elemente të ndonjë vepre penale tjetër , dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre ( vjet ) .

KAPITULLi XXXII – VEPRAT PENALE KUNDËR RENDIT PUBLIK

Neni 401 – Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare :

 Kushdo që me forcë apo kanosje serioze pengon ose tenton të pengojë personin zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare ose duke përdorur mjetet e njëjta e detyron atë ta kryej detyrën zyrtare dënohet me burgim prej tre ( 3 ) muaj deri në tre ( 3 ) vjet.

 


MË SHUME NGA Lajme