Tahiri:Kosova s’duhet të dialogojë me Serbinë derisa ajo t`i pranojë krimet
Kosovare Gashi
Për momentin nuk ka kushte për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi. Kështu vlerësojnë njohës të zhvillimeve politike. Ata thonë se mohimi i krimeve dhe masakrave të kryera në Kosovë nga krerët shtetërorë të Serbisë ka krijuar atmosferë të pafavorshme për dialog. Sipas tyre, dialogu thirret për normalizim të marrëdhënieve, ndërkaq thonë se nuk mund të këtë paqe nëse nuk dihet kush ishte agresori e kush viktima.
Krim të fabrikuar e ka quajtur Masakrën e Reçakut të vitit 1999 presidenti i Serbisë, Aleksander Vuciq. Kjo deklaratë e bërë ditë me parë ka ngjallur reagime në vend. Serbia edhe më parë ka mohuar krimet e kryera në Kosovë. Megjithatë, Kosova më ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve ka pranuar që të ulet në tavolinën e bisedimeve për t’i normalizuar marrëdhëniet më shtetin serb. Analisti politik, Ramush Tahiri, vlerëson se Kosova nuk duhet të dialogojë më Serbinë, derisa kjo e fundit nuk i pranon krimet e bëra.
"Nuk ka dialog dhe nuk do të duhet të këtë dialog me Serbinë, sepse dialogu po bëhet për normalizim të marrëdhënieve, ndërsa nuk mund të këtë paqe nëse nuk dihet kush ka qenë agresor dhe kush ka qenë viktimë. Nuk mund të bëjë askush kompromis të dhimbshëm në emër të Kosovës nëse nuk dënohet Serbia agresore dhe nëse nuk ka marrëveshje me Serbinë për ekstradimin e të gjithë kriminelëve që janë fshehur në Serbi”, theksoi Tahiri për Radio Kosovën.
Edhe për analistin politik, Blerim Burjani, vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ndodhë. Sipas Burjanit, Bashkimi Evropian do të duhet t’i bëjë më shumë presion Serbisë që të pranojë krimet. Sipas tij, deklaratat e Vuciqit e kanë rrezikuar procesin e dialogut.
"Serbia duhet të këtë një presion me të madh ndërkombëtar, që të mos pozicionohet negativisht për krimet e luftës së dikurshme që i ka kryer vetë si shtet dhe është treguar jashtëzakonisht e ashpër në situatat e dikurshme dhe në situatat e ardhshme që po vijnë. Deklaratat e Vuçiqit kanë vështirësuar dhe kanë rrezikuar dialogun”, tha Burjani.
Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka ngecur tash e një vit, pasi Qeveria, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, vendosi taksen 100 për qind për mallrat serbe që hyjnë në Kosovë. Ndërkaq, që pas përfundimit të zgjedhjeve presioni ndërkombëtar ka filluar mbi partitë fituese që t’i krijojnë më shpejt institucionet dhe të vazhdohet dialogu më Serbinë.























