Manaj thotë se LDK i kishte propozuar VV-së postin e presidentit
Janë duke vazhduar në rrjetet sociale polemikat për postin e presidentit në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shkëmb Manaj, i është kundërpërgjigjur deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi.
Abazi në një postim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, kishte përmendur kohën e Ibrahim Rugovës, kur LDK-ja kishte arritur që ta ketë edhe presidentin edhe kryeministrin, por që sipas tij, tashmë që LDK e Isa Mustafës është radhitur e dyta, nuk i takon posti i presidentit.
Por pas këtij postimi ka reaguar deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj.
Manaj ka thënë se në kohën e Rugovës LDK-ja kishte 47 deputetë dhe në atë kohë, pra më 2001, LDK-ja kishte Parlamentin dhe Presidencën, kurse partia e dytë, PDK-ja kishte vetëm Kryeminsitrinë.
Sipas Manajt, oferta e LDK-së ka qenë që postin e presidentit ta marrë VV-ja kurse të kryeministrit LDK.
“Nëse z. Haki Abazi, ju ka ba marak që ky kombinim të jetë model i ndarjes së përgjegjësive shtetërore tani, atëherë LDK e ka dhënë edhe këtë ofertë që LDK si partia e dytë ta marr Kryeministrin, ndërsa VV si partia e parë ta merr Presidentin dhe Kryetarin e Kuvendit ( edhepse nuk i ka 47 deputetë sa i ka pasur LDK kur i ka pasur këto dy pozicione)”, ka shkruar Manaj.
Postimi i plotë i Manajt:
LDK në kohën e Ibrahim Rugovës në vitin 2001, si partia e parë ka pasur 47 deputetë, ndërsa partia e dytë (PDK) ka pasur 26 deputetë, 21 deputetë me pak se LDK.
Në këtë kohë, LDK ka udhëhequr Parlamentin dhe Presidencën, ndërsa Kryeministrin e ka pasur partia e dytë e cila i ka pasur 21 deputetë me pak se partia e parë.
Tani VV ka 29 deputetë si partia e parë dhe LDK ka 28 deputetë si partia e dytë, diferenca është vetëm 1 deputet.
Nëse z. Haki Abazi, ju ka ba marak që ky kombinim të jetë model i ndarjes së përgjegjësive shtetërore tani, atëherë LDK e ka dhënë edhe këtë ofertë që LDK si partia e dytë ta marr Kryeministrin, ndërsa VV si partia e parë ta merr Presidentin dhe Kryetarin e Kuvendit ( edhepse nuk i ka 47 deputetë sa i ka pasur LDK kur i ka pasur këto dy pozicione).
Nëse doni kështu, nesër e arrijmë këtë marrëveshje!.























