Bashkëpunimi i qytetarëve me Policinë mundëson siguri më të mirë
BKT
Lajme

Bashkëpunimi i qytetarëve me Policinë mundëson siguri më të mirë

Komunat e Kosovës ballafaqohen me shumë sfida kur është në pyetje siguria publike në komunitet.

Kështu u tha në takimin e 19 të Këshillit Ekzekutiv të Komiteteve Lokale për Siguri Publike (KLSP-së), të organizuat nga Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Preventivë dhe Komiteti Lokal për Siguri Publike (KLSP) nga komuna e Vushtrrisë.

Në këtë takim u bë e ditur se në të gjithë Kosovën janë 71 komitete lokale për siguri publike (KLSP), të cilat bashkëpunojnë me komunat dhe Policinë e Kosovës për të rritur sigurinë në komunitet.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, që njëherësh komiteti lokal i kësaj komune e ka organizuar këtë takim, tha se komunat në përgjithësi ballafaqohen me shumë sfida kur është në pyetje siguria publike në komunitet.

Ai deklaroi se vetëm një bashkëpunim i mirëfilltë në mes qytetarëve, komunës dhe Policisë së Kosovës mundëson që të ofrohet një siguri më e madhe në komunitet. 

Ndërkaq, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Operativë në Policinë e Kosovës Samedin Mehmeti, tha se Policia e Kosovës është e përkushtuar për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe se është e pamundur që të ofrohet rend dhe ligj nëse nuk ka bashkëpunim me qytetarët.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe ministrja në detyrë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Adrijana Hodzic, e cila tha se krijimi i Komiteteve Lokale për Siguri Publike u mundëson kryetarëve të komunave që të ndajnë informata të dobishme për të parandaluar krimin dhe për të ofruar siguri nëpër komuna.

Krijimin e Komiteteve Lokale për Siguri Publike (KLSP) e ka mbështetur edhe misioni i OSBE-së në Kosovë, ku shefi i këtij misioni Jan Braathu, tha se kanë arritur sukses me funksionalizimin e këtyre komiteteve.

Ndonëse KLSP kanë arritur shumë suksese, Braathu tha se ende vazhdojnë të përballen me disa sfida, e që sipas tij këto sfida kanë të bëjnë me parimin e pjesëmarrjes vullnetare pa kompensim financiar, mungesën e financimit të projekteve dhe pjesëmarrja e vogël e grave në këto komitete, ku përmendi se në disa KLSP nuk ka fare përfaqësuese gra.

Funksionimin e KLSP-ve e ka mbështetur edhe Ambasada e Norvegjisë në Kosovë, ku ambasadori Jens Erik Grondahl, tha se komunitetet e sigurta lokale është prioritet global.

Takimi i 19-të i Këshillit Ekzekutiv të Komiteteve Lokale për Siguri Publike (KLSP-së) është organizuar nga Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Preventivë dhe Komiteti Lokal për Siguri Publike (KLSP) nga komuna e Vushtrrisë.


MË SHUME NGA Lajme