Fshihni të metat në fytyrë përmes grimit
Ngarkesa në punë dhe obligimet e përditshme, bëjnë që shpesh në fytyrën tuaj të paraqiten të metat. Mirëpo, janë disa veprime me të cilat ju do të eliminoni këto defekte.
Fytyra juaj e zbehtë dhe e lodhur, pas një jave të lodhur pune do të shkëlqejë me grimin e ngjyrave të duhura me ndihmën e disa hapave, shkruan Zëri.
Pudra me ngjyrë të pjeshkës
Fytyrën pastrojeni me një shami të lagur e më pas vëni pudër me ngjyrë të butë pjeshke, pudër kjo që fytyrës suaj të zbehur ia kthen freskinë. Nuk ka nevojë që të aplikoni shtresë të trashë, pasi përmes kësaj pudre, ju do të ktheni shkëlqimin në fytyrën tuaj.
Korrektori i verdhë
Qeskat përreth syve më së miri i kamuflon korrektori me nuanca të verdha. Korrektorin në shtresa të holla rreth syve vendoseni me kujdes, në mënyrë që të mos grumbullohet në rrudhat e imëta. Mos përdorni tjetër preparat në këtë zonë përveç këtij korrektori.
Hijet e ndritshme
Sytë e lodhur zgjojini me ngjyra të lumtura të hijeve. Efektin më të mirë do ta arrini nëse përdorni hije me pluhur ndriçues. Mos e teproni as me hijet, mjafton një shtresë e hollë.
Bojëkuqi
Bojëkuqi me nuanca të portokallta është i domosdoshëm, sepse gjithë fytyrës suaj i fal freskinë. Vendoseni drejtpërdrejt në mollëza, por kini kujdes të mos ketë theksime të vrazhda. Pasi ta keni vënë, atëherë me maja të gishtave me butësi e fërkoni për ta shtrirë sa më mirë.
Shkëlqimi për buzë
Për buzë përdorni shkëlqim transparent, kurrsesi buzëkuq të rëndë pa shkëlqim. Në mënyrë më natyrale ndikon shkëlqimi me ngjyrë kajsie.























