Ter Stegen-Courtois, gati të sfidohen dy portierët me shpirt sulmuesi
“El Clasico” është në duar të sigurta. Marc-Andre ter Stegen dhe Thibaut Courtois do të kërkojnë që t’i “mbyllin” portat e tyre mbrëmjen e sotme.
“Gardiani” i Barcelonës mund të jetë goditja më e mirë që bëri Andoni Zubizareta si drejtor sportiv.
Gjermani nuk ishte kaq i njohur në nivelet ndërkombëtare të futbollit, por Zubi ishte i bindur që kishte transferuar një portier për të gjithë dekadën. Koha e ka treguar diçka të tillë dhe i ka dhënë të drejtë. Portieri është shndërruar në një pjesë të rëndësishme për Barcelonën. Në sezonin e parë ka bërë disa pritje shpëtimtare, ndërsa në vitin e dytë tregoi se edhe këmbët e tij janë aq të mira sa duart, raporton “PanoramaSport”.
Në këtë sezon, gjermani ka treguar edhe shpirtin “sulmues” që fshihet brenda tij. Ai ka dhënë 2 asistime për gola, një statistikë që nuk e kanë as mesfushorët në Evropë. Ai është portieri i vetëm që ka dhënë asistime me fanellën e Barcelonës. Është transferuar për të pritur dhe këtë gjë e ka bërë më së miri. Mund të themi se katalanasit kanë avancuar në Ligën e Kampionëve pikërisht falë pritjeve të tij spektakolare kundër Dortmundit, Interit dhe Slavias së Pragës.
Përballë tij do të qëndrojë Courtois. Portieri belg përmbysi një situatë mjaft të vështirë në fillimin e sezonit, duke u shndërruar në një pikë të fortë për Realin e Madridit. I bëri për vete zemrat e tifozëve “galaktikë”, pasi dha kontribut në barazimin që skuadra e Zidane mori kundër Valencias.
Ai goditi me kokë një krosim dhe më pas Benzema e dërgoi në rrjetë. Në fillimin e sezonit kishte shumë kritika për të dhe detyra për të zëvendësuar Navasin nuk ishte aspak e lehtë. Por, tani duket sikur ka kaluar një jetë dhe Courtois ka shumë besim. Barcelona është “macja e zezë” për të dhe në karrierë ka arritur ta mposhtë vetëm një herë. Do të kërkojë edhe sot në mbrëmje ta bëjë diçka të tillë për ta ngjitur në krye Realin e Madridit.























