​Mulhaxha-Kollçaku e VV-së ka dy fjalë për LDK-në e Isa Mustafës
BKT
Lajme

​Mulhaxha-Kollçaku e VV-së ka dy fjalë për LDK-në e Isa Mustafës

Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje Fatmire Mulhaxha-Kollçaku ka fajësuar Lidhjen Demokratike të Kosovës për mos arritjen e marrëveshjes për formimin e Qeverisë së Kosovës një ditë para seancës konstituive të legjislaturës së shtatë të Kuvendit.

“Kur të vetëquajtur “institucionalista” pozicionohen kundër logjikës institucionale, si rezultat kemi ngatërrim të zgjedhjeve parlamentare me ato për president. Është e vërtetë se shpresa vdes e fundit, por është e rëndë nëse do të vdiste në duar të disa “politik-bërësve” biznesmenë”, shkruan Kollçaku në një postim në Facebook.

Ndryshe, VV dhe LDK as pas rreth tre muaj të bisedimeve nuk kanë arritur marrëveshje për koalicionin qeverisës, duke bërë kështu që nesër të shkojnë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës pa marrëveshje.

Lidhja Demokratike e Kosovës insiston postin e presidentit, derisa Lëvizja Vetëvendosje kërkon që kjo çështje të vendoset më vonë ose të marrë Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa tha sonte se nuk kanë dështuar negociatat, por ka dështuar strategjia e Lëvizjes Vetëvendosje për ndarjen e posteve.

Para deklarimit të Mustafës, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti përmes një video-mesazhi në Facebook akuzoi LDK-në se nuk ka bërë asnjë koncesion për zgjidhjen e ngërçit të marrëveshjes për bashkëqeverisje, teksa tha se partia që ai drejton ka bërë pesë koncesione.

Nesër mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku në rendin e ditës janë tri pika për diskutim: formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të  mandateve të deputetëve, dhënia e betimit të deputetëve, dhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.


MË SHUME NGA Lajme