Baraliu: Peticioni i SBASHK-ut drejtuar Kushtetueses s`ka bazë jurudike
BKT
Lajme

Baraliu: Peticioni i SBASHK-ut drejtuar Kushtetueses s`ka bazë jurudike

Albana Karaj

Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka mbledhur nënshkrime nga punëtorët e arsimit, për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ligjit për Paga. Sipas udhëheqësve të Sindikatës, këto nënshkrime do të dorëzohen te Institucioni i Avokatit të Popullit. Njohës të Kushtetutës thonë se kjo iniciativë për ta kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk ka bazë juridike.

Punëtorët e arsimit kanë nënshkruar një peticion, i cili pritet t’i dorëzohet Institucionit të Avokatit të Popullit, në mënyrë që ky institucion t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me kërkesën që të hiqet masa e pezullimit të Ligjit për Paga. Por, sipas njohësve të Kushtetutës, kjo iniciativë nuk ka bazë juridike dhe nuk do të duhet të ndikonte në vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Profesori Mazllum Baraliu tha për Radio Kosovën se vendimet e Kushtetueses janë të pavarura dhe të pa ankimueshme.

“Mendoj që është energji e harxhuar dhe një mungesë e përvojës mbase. Përndryshe, do të duhej që secili qytetar i Kosovës, grupime e organizata të ndryshme, siç janë edhe sindikatat, ta dinë që nuk mund të ndikohet në punën e Gjykatës Kushtetuese, nëse ajo punon si duhet dhe në frymën e Kushtetutës, Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe ligjeve të tjera” tha Baraliu.

Profesor Baraliu theksoi se presione të tilla pa bazë kushtetuese dhe juridike nga organizata apo edhe nga vetë politika ndaj Gjykatës Kushtetuese, nuk do të duhej të ndikonin në vendimet e saj. Megjithëse, siç tha ai, në raste të caktuara, puna e Gjykatës Kushtetuese është ndikuar politikisht.

 “Fatkeqësisht, jo gjithherë është dëshmuar puna e Gjykatës kushtetuese parimore dhe e bazuar, të paktën sipas përshtypjeve të opinionit publik për raste të ndryshme. Ka pasur edhe vendime të saj, që janë veçuar dhe konsideruar si të ndikuara politikisht nga jashtë. Por, në sens të themi juridikisht dhe kushtetueshmërisht ato nuk kanë asnjë ndikim, sepse Gjykata Kushtetuese është gjyqësi dhe drejtësi e pavarur, e cila nuk do të duhej të pengohej dhe të këtë presion nga jashtë, në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast”, tha ai.

Më 12 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim ta pezullojë Ligjin për Paga deri në muajin mars. Institucioni i Avokatit të Popullit i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar interpretim për Ligjin e Pagave meqë kishte pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik.


MË SHUME NGA Lajme