Mbi 100 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku për një vit
Kosovare Gashi
Mbi njëqind persona kanë humbur jetën nëpër rrugët e Kosovës nga aksidentet e shkaktuara në trafik, gjatë vitit 2019. Ekspertët e komunikacionit, e vlerësojnë shqetësues numrin e lartë të aksidenteve me fatalitet që po ndodh në rrugët e Kosovës. Ndërkaq Policia e Kosovës thotë se po bëjnë të pamundurën në vetëdijesimin e qytetarëve për ngasje të kujdesshme të automjeteve.
Në më shumë së 14 mijë aksidente në trafikun rrugor që kanë ndodhur gjatë viti 2019 në Kosovë, mbi njëqind persona kanë humbur jetën. Për ekspertin e komunikacionit, Nol Dedaj, kjo shifër është shumë shqetësuese. Sipas tij, janë disa faktorë që po ndikojnë në rrezikimin e sigurisë në trafikun rrugor:
“ Faktori njeri, faktori automjet, faktori rrugë, faktori incident dhe faktori komunikacioni në rrugë. Kosova edhe sot ballafaqohet me panjohuri të mjaftueshme për sa i përket aksidenteve tëkomunikacionit", tha Dedaj.
Profesor Dedaj gjithashtu vlerëson se cilësia e rrugëve në Kosovës nuk është e kënaqshme, çka edhe po ndikon tek aksidentet. Problem tjetër Dedaj e sheh edhe mungesën e sinjalizuesve.
Ndërkaq, Policia e Kosovës ka treguar për Radio Kosovën se po bëjnë përpjekje të vazhdueshme në vetëdijesimin e pjesëmarrësve në trafik që automjetet t’i drejtojnë më me kujdes. Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, i tha Radio Kosovës se masat ndëshkuese që policia i ka aplikuar këtë vit, kanë ndikuar në uljen e aksidenteve me fatalitet krahasuar me vitin paraprak.
“ Ne si Polici e Kosovës kemi ndërmarrë masa ndëshkuese dhe duke shqiptuar më shumë gjoba në krahasim me vitin e kaluar. Masa këto që kanë ndikuar në një mënyrë sa do pak në uljen e aksidenteve me fatalitet, ku fatmirësisht numri i persona të vdekur ka shënuar rënie prej 6.36 për qind" tha Kelani.
Përderisa gjatë këtij viti, në vendin tonë kanë humbur jetën mbi 100 persona si pasojë e pakujdesisë në drejtimin e automjeteve apo në çfarëdo forme tjetër të pjesëmarrjes në trafik, Policia e Kosovës vlerëson se është e nevojshme që të ketë një angazhim më të shtuar ndër-institucional dhe masa proaktive dhe aktive. Sipas Policisë, masa duhet të ndërmerren në vazhdimësi për të krijuar rrethana më të favorshme që numri i aksidenteve, në veçanti i atyre me fatalitet, të reduktohet edhe më tej.























