Dema: Universiteti i Prishtinës në ditët më të mira
BKT
Lajme

Dema: Universiteti i Prishtinës në ditët më të mira

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është duke i kaluar ditët më të mira, që nga pas lufta, e ndoshta edhe nga themelimi i tij. I gjithë ky rezultat është arritur duke i angazhuar të gjitha potencialet dhe të gjithë faktorët që marrin pjesë në arsim, duke filluar nga studentët, stafin akademik, senatin, këshillin drejtues, mediat, shoqërinë civile, komunitetin, partnerët ndërkombëtar e shumë të tjerë.

Kështu tha në një intervistë për KosovaPress, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema.

Dema shpalosi të gjitha të arriturat dhe sfidat që i kanë hasur gjatë këtij viti, e që sipas tij, falë punës korrekte, universiteti ka arritur të rimëkëmbet dhe po përmbyll një vit shumë të suksesshëm.

“Universiteti i Prishtinës është duke i kaluar ditët më të mira të tij që nga pas lufta, po ndoshta edhe nga themelimi. Pikërisht kjo është arritur duke i angazhuar të gjitha potencialet të gjithë faktorët që marrin pjesë në arsim, duke filluar me studentët, stafi akademik, senati, këshilli drejtues, mediat, shoqëria civile, komuniteti, partnerët ndërkombëtar, pra të gjithë së bashku kemi krijuar një ambient të përshtatshëm për ndryshime pozitive dhe kemi arritur në atë nivel të ndërtimit të një bazamenti që ka qenë qëllim i ynë, sipas planit strategjik të Universitetit të Prishtinës që ai bazament ti ketë tri struktura kryesore: Të stabilizohet Universiteti i Prishtinës gjë që është stabilizuar, të krijohen standarde gjë që i kemi standardet për të gjitha fushat, dhe të kryhet një transformim i Universitetit të Prishtinës, i cili është arrit”, tha Dema për KosovaPress.

Pavarësisht sfidave, Dema tha se viti që po lëmë pas karakterizohet me shumë të arritura.

Ndër sukseset më të mëdha sipas tij, kanë qenë ndërtimi i urave të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtar, kthimi i besimit të Universitetit të Prishtinës, reformat e avancuara në mësimdhënie dhe mësimënxënie, e shumë të tjera.                             

“Ka qenë një vit që kemi arritur shumë suksese, por kemi pas edhe shumë sfida, ndër sukseset që janë arritur kisha me përmend reformat që janë bërë në Universitetin e Prishtinës, reformat në avancime në mësimdhënie dhe mësimënxënje, në hulumtime shkencore, kthimi i besimit të Universitetit të Prishtinës, besimit vendor e në veçanti atij ndërkombëtar, ndërtimi i urave të bashkëpunimit me partnerët ton ndërkombëtar, me komunitetin me tregun e punës, në mënyrë që ta gjejmë atë bashkëpunimin ndërmjet universitetit dhe partnerëve tjerë, por me një fjalë kemi udhëhequr politika që universiteti të jetë afër komunitetit të bashkëpunoj me të, në këtë frymë edhe kemi ndihmuar shumë aktivitete shumë projekte që janë zhvilluar në komunitet në mënyrë që ta bindim popullin që Universiteti është i popullit dhe për popullin”, tha Dema.

Dema shton se është i vetmi rektor që ka krijuar një marrëdhënie miqësore me studentët e Universitetit të Prishtinës, e krejt kjo sipas tij, për faktin se çdo muaj ka organizuar “kafe me rektorin”, ku bashkërisht kanë diskutuar ide dhe projekte të ndryshme për një universitet sa më adekuat.

Edhe pse pas nëntë muajsh, rektori Dema përfundon mandatin e tij në Universitetin e Prishtinës, ai thotë se do të mbahet në mend shumë gjatë, e krejt kjo falë vendimeve rigoroze që ka ndërmarrë dhe se asnjëherë nuk ka qenë i korruptuar.

Ndryshe, Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin mbi themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Krahinës Socialiste të Kosovës, më 18 nëntor 1969.


MË SHUME NGA Lajme