Demhasaj: Asnjë dënim meritor për të akuzuarit e aferave korruptive
BKT
Lajme

Demhasaj: Asnjë dënim meritor për të akuzuarit e aferave korruptive

Viti 2019 përfundoi pa ngritjen e ndonjë aktakuze për afera korruptive për personat e profilit të lartë. Pavarësisht që Prokuroria Speciale e Kosovës bëri të ditur se ka zgjidhur 94% të rasteve të këtij lloji, sipas monitoruesve të seancave gjyqësore asnjë rast i vetëm nuk është ngritur për zyrtarët e profilit të lartë.

Në anën tjetër Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, po ashtu pohoi se gjatë vitit të kaluar nuk ka pasur asnjë aktakuzë për afera korruptive në profilet e larta. “Edhe më herët në raportin që e kemi bërë dhe e kemi publikuar në fund të vitit kemi treguar që vitin e fundit nuk ka pasur asnjë aktakuzë që është ngritur dhe që flet për korrupsionin e profilit të lartë”, ka thënë ai.

Demhasaj përmendi rastin e fundit “Pronto”, ku të akuzuarit u shpallën të pafajshëm. “Njëjtë po ndodh edhe me rastet që kanë qenë të ngritura më herët. E pamë rastin e fundit ‘Pronto’, si dhe ato të mëhershme, që gjithmonë po përfundojnë me hedhje poshtë të aktakuzës ose me shpallje si të pafajshëm të të akuzuarve”.

Sipas tij, ende nuk ka pasur ndonjë rast të profilit të lartë që ka përfunduar me dënim meritor. “Përfundimi është që nuk kemi as edhe një rast të profilit të lartë, i cili ka përfunduar me një proces meritor dhe që kanë marrë dënime meritore ose kanë marrë dënime tepër të ulëta, ose janë sjellë të pafajshëm. Kohëve të fundit nuk kemi pasur as ngritje të aktakuzave dhe kjo tregon se çfarë fokusi po ka sistemi i drejtësisë te rastet e profilit të lartë të korrupsionit”, ka potencuar Demhasaj./Zëri.


MË SHUME NGA Lajme