Kosova nis sot ëndrrën për Botëror, kundërshtari i parë është Italia
Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka arritur në Benevento të Italisë, ku prej sot deri të dielën i luan ndeshjet e fazës së parë kualifikuese për Botërorin 2021.
Atmosfera në Kombëtare është shumë e mirë.
Kapiteni i ekipit, Valon Dedaj thotë se është i gatshëm për të udhëhequr Kombëtaren në sfidat e rëndësishme me Italinë, Rumaninë e Gjeorgjinë.
Dedaj është optimist se Kosova do të bëjë hapin e synuar para, nëse të gjithë djemtë japin më të mirën.
"Duhet që të gjithë të luajmë në nivel të lartë. Me dy-tre lojtarë nuk është e mundur. Nëse luftojmë si në ndeshjet në Kosovë, atëherë do të jetë shumë mirë. Deri më tani jashtë vendit kemi luajtur më dobët dhe shpresoj që kjo të ndryshojë tani. Ndoshta na ka kushtuar edhe mungesa e përvojës", ka thënë Valon Dedaj për faqen zyrtare të FHK-së.
Kosova ndeshjen e parë e luan sot ndaj Italisë nikoqire në ora 20:00.
"Do të jetë vështirë, kundërshtarët janë të fortë. Por nëse rezultati është i ngushtë, atëherë ne fitojmë zemër dhe të gjithë na frikësohen. Prandaj është me shumë rëndësi që të hyjmë fuqishëm në ndeshje. Këtë ua kam thënë edhe lojtarëve. Me shumë peshë është që edhe konkurrenca është rritur në kombëtaren tonë", theksoi Dedaj.























