Temperaturat e ulta vonojnë punimet në hyrje të Veternikut
BKT
Lajme

Temperaturat e ulta vonojnë punimet në hyrje të Veternikut

Besijana Mulaj , RTK

Punimet për zgjerimin e rrugës nacionale bashkë me urën për kyçje në autostradën Ibrahim Rugova në lagjen Veternik të Prishtinës kishin filluar në fund të muajit korrik.

Zyrtarët e lartë nga Ministria e Infrastrukturës premtuan se kjo urë  e cila e mundëson qarkullimin nga Ferizaji në drejtim të Prishtinës do të jetë e gatshme  me 15 nëntor. Por punimet në këtë urë ende nuk kanë përfunduar madje menaxheri i këtij projekti ndërtimor Isa Berisha thotë se për shkak të temperaturave të ulëta tani  janë duke u realizuar vetëm punimet. Ndërsa punimet e zgjerimit dhe asfaltimi final  të rrugëve nuk mund të fillojnë deri në muajin Prill.

Në Gusht të këtij viti zëvendës ministri I Infrastrukturës Rexhep Kadriu pati premtuar se ura e lagjes Veternik, e cila mundëson kyçjen  në autostradën Ibrahim Rugova, më 15 nëntor do të jetë e gatshme për qarkullim.

 “Ne jemi në kontakt për çdo ditë më kompanitë e kontraktuara dhe jemi në vrojtim të tyre, këtu tash janë duke punuar dy kompani, njëra është duke e punuar urën dhe nga dita e djeshme është angazhuar edhe kompania tjetër e cila po punon në rrugët për kyçje. Ne po planifikojmë që ura deri me 15 nëntor të jetë e gatshme për qarkullim N2, d.m.th ura përfundon, asfaltohet dhe qarkullimi nga Ferizaji në drejtim të Prishtinës do të jetë i rregulluar, por po shpresojmë shumë se deri në nëntor të punojmë shumë edhe me orar të zgjatur të kompanive që të përfundojnë edhe kyçjet dhe deri në dhjetor ta kemi të përfunduar komplet këtë projekt’, tha ai.

Tashmë kanë kaluar afër dy muaj  nga koha kur ishte planifikuar të lëshohet ura për qarkullim, por punimet ende nuk kanë përfunduar.

Madje menaxheri I këtij projekti , Isa Berisha thotë se për shkak të temperaturave të ulëta punimet janë ndërprerë që nga data 15 dhjetor. Aktualisht po punohet vetëm në finalizimin e rrethrrotullimit.

 “Për shkak të fillimit të sezonit dimëror prej periudhës 15 dhjetor deri me 1 prill punimet në

Ndërtimin e rrugëve ndërpriten, ne për moment për shkak të ditëve të ftofta dhe pa reshje, jemi tu punuar disa punë rrethanore, është vazhduar prej sot rreth betonimeve dhe rregullimit të elementeve të rrugës, ndërsa në pjesën e rrugës nuk ka mundësi që të punohet në këtë periudhë”, tha ai.

Berisha thotë se punimet në urë do të rifillojnë Prill derisa projekti si tërësi do të përmbyllet në muajin  Maj.

 ‘Duke e llogarit periudhën e dimrit besoj që deri në maj do të përfundojnë të gjitha punimet dhe do të lëshohet për qarkullim. Mundësia është se shtresa finale nuk mund të asfaltohet para asaj kohe”.

 

Kostoja  totale e ndërtimit të kësaj rruge është  2 milionë e gjysmë, shumë kjo e cila është shfrytëzuar nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës.   Por zgjerimi deri në 6 korsi në dy drejtimet pritet që ta zbusë në masë të madhe mbingarkesën e trafikut rrugor.

 “Po besoj që me zgjedhjen që do të bëhet me 6 korsi në dy drejtimet  do të mënjanojmë të gjitha problemet si dhe tek rampat i kemi rregulluar shiritat e ngadalësimit të hyrje daljeve dhe do të jenë edhe ato të zgjeruara dhe nuk do të ketë telashe në komunikacion”.

E deri në maj kur edhe është planifikuar të përfundojnë punimet, ngasësit e automjeteve  do të përballen me kolona të gjata në rrethrrotullimin e lagjes Veternik.


MË SHUME NGA Lajme