Doris Pack: VV e LDK të tregojnë se janë të afta të krijojnë një qeveri
BKT
Lajme

Doris Pack: VV e LDK të tregojnë se janë të afta të krijojnë një qeveri

Diplomatja dhe politikania gjermane Doris Pack ka folur për zhvillimet politike në vend me theks të veçantë për formimin e qeverisë së re të Kosovës. Kryetarja e grupit të grave të EPP-së është shprehur se Vetëvendosja dhe LDK-ja duhet të bëjnë kompromise dhe të nënshkruajnë marrëveshjen e koalicionit sa më parë. Doris Pack ka thënë po ashtu se Albin Kurtit duhet t’i ipet kohë që ta dëshmojë veten si Kryeministër.

Sa i përket zvarritjeve për liberalizimin e vizave ajo thotë se është e padrejtë që kosovarët të mbahen të izoluar, megjithatë beson që viti 2020 do të jetë vit i heqjes së regjimit të vizave për Kosovën.

Ish-deputetja e Parlamentit Evropian ka folur për Express edhe për rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Doris Pack as Kosova e as Serbia nuk do të mund të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian pa i zgjidhur problemet mes tyre. Ajo ka komentuar edhe iniciativën e Mini-Shengenit ballkanik duke thënë se kjo iniciativë nuk do të mund të ndodhë pa Kosovën.

Doris Pack tha se një qeveri e qëndrueshme, e cila do t’i adresojë nevojat e qytetarëve dhe që do t’i vazhdojë reformat e kërkuara për zhvillim ekonomik dhe sundim të ligjit, duhet të formohet sa më shpejt që është e mundur. Demokracia në Kosovë është e brishtë dhe nuk mund t’i bëjë ballë mungesës së një qeverie funksionale. Dy partitë që i kanë fituar zgjedhjet duhet të jenë të afta ta nënshkruajnë marrëveshjen që do t’ia ofronte Kosovës një qeveri stabile, të bazuar në respekt dhe besim të ndërsjellë. Prandaj, të dy partnerët duhet të bëjnë kompromise, kështu funksionojnë vendet demokratike. Shikojeni Austrinë! Pas zgjedhejve, unë u takova me anëtarë të dy partive dhe pata përshtypjen se për këtë ekziston një mirëkuptim.E njoh Kurtin prej kohës kur ishte student dhe kur më kishte vizituar në zyrën time në Bruksel. E mbaj mend kur ai ishte në burg dhe prandaj e kuptoj paksa personalitetin e tij, tha ajo.

''Z.Kurti nuk është dëshmuar në pozita publike deri më tash. Përderisa ishte në opozitë, ai i ka kundërshtuar fuqishëm të gjitha qeveritë dhe madje kishte plane konkrete për ta qeverisur vendin ndryshe. Unë besoj se ne të gjithë duhet t’i japim atij ca kohë për ta dëshmuar veten dhe t’u japim kohë dy partive që të dëshmojnë se koalicioni do të funksionojë. Ashtu si kudo, kur partitë me orientime të ndryshme politike formojnë koalicion, ka sfida për gjetjen e rrugës së përbashkët, por gjithmonë ekzistojnë mundësi që të kultivohet kultura e dialogut, kompromisit dhe mirëbesimit'' tha Pack.

Pack tha se as Serbia, as Kosova nuk do të bëhen pjesë e BE-së pa i zgjidhur problemet e tyre dypalëshe.

"E kaluara nuk duhet ta pengojë kaq shumë procesin. Mirëqenia e sotme e qytetarëve dhe fati i gjeneratave të ardhshme duhet të jenë forcë shtytëse për të dyja palët. Ndarja nuk është në interesin e askujt, ajo do të krijonte edhe më shumë probleme. Unë jam në favor të një marrëveshjeje në bazë të kufijve të tanishëm mes të dyja vendeve, e cila do t’i adresonte të gjitha çështjet e mbetura dhe e cila do të mund të zbatohej në praktikë. Kjo gjithashtu nënkupton që Plani i Marti Ahtisarit, në të cilin është bazuar pavarësia, duhet të përmbushet. Qytetarët e Kosovës ende po përballen me izolim dhe nuk mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen."

Lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën, se a mundet në vitin 2020 institucionet vendimmarrëse të Bashkimit Evropian do të heqin regjimin e vizave për Kosovën ajo tha Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian

"Siç kam theksuar shumë shpesh, ndihem e turpëruar që Kosova ende është shteti i vetëm në Evropën Juglindore me këtë regjim. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian. Kjo është konfirmuar disa herë nga vetë Komisioni. Parlamenti Evropian gjithashtu u ka bërë thirrje disa herë shteteve anëtare që ta japin dritën e gjelbër. Prandaj, është e rëndësishme që të lëvizet sa më shpejt në këtë aspekt për t’ua ofruar kosovarëve udhëtimin pa viza. Të shpresojmë që ky do të jetë viti kur kjo gjë të ndodhë. Llogaris që presidenca kroate e BE-së do ta shtyjë përpara këtë qëllim". shtoi ajo.


MË SHUME NGA Lajme