Draft buxheti për vitin 2020 është gati, nuk dihet kur shkon në Kuvend
BKT
Lajme

Draft buxheti për vitin 2020 është gati, nuk dihet kur shkon në Kuvend

Draft buxheti për vitin 2020 është finalizuar, mirëpo ende nuk është bërë e qartë se kur mund të shkojë në Kuvend për miratim.

Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2020 është i finalizuar dhe vetëm pritet për miratim në Qeveri të Kosovës. Kështu kanë thënë në një përgjigje me shkrim për lajmi.net nga zyra për informim në Ministrin e Financave.

“Ministria e Financave me kohë ka ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë që ta draftoj Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020. Andaj Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2020 është i finalizuar dhe vetëm pritet për miratim në Qeveri të Kosovës”, thuhet në përgjigjën më shkrim dërguar për lajmi.net.

Tutje në këtë ministri kanë thënë se procedimi i Buxhetit nga Ministria e Financave vetëm në Qeveri nuk krijon ndonjë efekt juridik pa i kaluar procedurat në Kuvend.

Ata thonë se është çështje e Qeverisë për t’i vlerësuar  hapat e mëtutjeshëm pasi që tani është konstituar Kuvendi.

“Është  çështje e Qeverisë e cila duhet ti vlerësoj  hapat e mëtutjeshëm pasi që tani është konstituar Kuvendi, procedimi i Buxhetit nga Ministria e Financave vetëm në Qeveri nuk krijon ndonjë efekt juridik pa i kaluar procedurat në Kuvend dhe me u shpallë në Gazetën Zyrtare. Ndërsa Ligji për Menaxhimin e Financave Publike i parasheh situatat alternaitive të implementimit të buxhetit të vitit paraprakë në rast së nuk aprovohet buxheti për vitin vijues”, thuhet tutje në përgjigje.

Qeveria në detyrë, ka miratuar vetëm kornizat buxhetore, ndërsa projektligji nuk mund miratohet pa u dërguar në Kuvend.

Ndërsa, kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë sot se nuk ekziston rreziku që në muajin shkurt dhe janar të ketë pengesa të funksionimit të buxhetit.

“Sipas ligjeve të Kosovës , 1/12 e buxhetit paraprak aktivizohet. Ekziston një procedurë që Qeveria me i kërku parlamentit për shfrytëzimin e 1/12 për marsin. Më 1 prill përfundon edhe s’ka mundësi tjera.  Për janar dhe shkurt s’ka pengesa të funksionimit të buxhetit”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, Kosova ka hyr në vitin 2020 pa miratimin e buxhetit, kjo për shkak të vonesave gjatë procesit zgjedhor si dhe mosmarrëveshjet për krijimin e Qeverisë së re.

Ligji për ndarjet buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të vazhdojë të zbatohet për më gjatë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.

Kosova edhe në vitin 2019 pati hyrë pa buxhetin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Buxheti për vitin 2019 në vlerë prej 2.3 miliardë eurosh ishte miratuar në muajin shkurt.

Organizatat ekonomike në Kosovë në vazhdimësi kanë hedhur kritika në projektimin e buxhetit ndër vite. Qeveria në largim ishte kritikuar edhe për mungesë të kulturës së menaxhimit të mjeteve buxhetore. 


MË SHUME NGA Lajme