VIDEO-Walker: Nuk duhet harruar e kaluara
Sharr Travel

VIDEO-Walker: Nuk duhet harruar e kaluara

Nesër është 21 vjetori i masakrës së Reçakut, njëra nga masakrat më të tmerrshme të kryera nga forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë. Për të folur për këtë ngjarje sot në emisionin e mëngjesit në RTK ishte i ftuar ish ambasadori i OSBE-së në Kosovë,William Walker,

21  vjet më parë në Reçak u vranë dhe u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Këtë masakër që tronditi gjithë opinion ndërkombëtar ambasadori William Walker, e cilësoi si krim kundër njerëzimit.

Walker tha sot në RTK se e ka kujtim të qartë dhe të freskët se çfarë ka ndodhur atë ditë në Reçak.

“E kam kujtim të qartë se çfarë ka ndodhur atë ditë dhe çfarë ka ndodhur pas asaj ngjarje nga një konferencë në Londër dhe Rambuje, pasi ndërkombëtarët më ftuan të flasë se çfarë po ndodhte në Kosovë dhe se çfarë do të duhej bërë, e që pasoi të jetë fushata e bombardimeve të NATO-s dhe çlirimi i Kosovës”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit " Mirëmëngjesi  Kosovë” në RTK.

Walker tha se 15 janari i vitit 1999 ka qenë mjaft i rëndësishëm për të dhe për popullin e Kosovës. “Njerëzit në Reçak janë si një familje për mua, njerëz të mrekullueshëm që kanë sakrifikuar shumë siç kanë bërë edhe shumë banorë të fshatrave tjera në Kosovë në atë kohë”,shtoi ai  .

Ai tha se është prekur nga fakti se disa nga liderët e rinj politikë po e harrojnë Reçakun.“E di që disa prej tyre po harrojnë Reçakun, e dinë emrin, e dinë kuptimin, por është një gjeneratë e re e cila po vjen dhe shpresoj që ajo do të vazhdojë të dëgjojë mbi Reçakun”,tha ai.

Ambasadori Walker foli edhe për mohimin e masakrës së Reçakut disa javë më parë nga ana e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq , për të cilin tha se ishte i ngjashëm me atë të Sllobodan Millosheviqit.

”Ka mohuar masakrën e Reçakut, më ka mohuar mua dhe ky mohim për 21 vjet, ku të gjitha dëshmitë ishin evidente më shqetëson shumë. Ishin fjalë të ngjashme si nga ana e Sllobodan Millosheviqit, i cili tha në Hagë të njëjtat ndjenja, të njëjtat fjalë, të njëjtin mohim 20 vjet më pas kur të gjitha dëshmitë ishin aty. Unë kam përshkruar atë që kam parë e që ishte një rezultat i një masakre që ka qenë aty për të gjithë për t'u parë”, tha ai.   

Sipas tij, nuk duhet harruar të kaluarën dhe se masakra e  Reçakut, masakrat e familjes Jashari dhe të tjerat janë të rëndësishme për t'u kujtuar, jo për të stimuluar urrejtje dhe dhunë, por njerëzit të kujtojnë se ka pasur sakrificë të madhe, shumë e kanë paguar me jetë, me çmimin më të lartë për atë që kemi ne sot në Kosovë.

Për më shumë ndiqni videon: