Meta në Reçak: Mohimi i Masakrës është riciklim i dhunës
BKT
Lajme

Meta në Reçak: Mohimi i Masakrës është riciklim i dhunës

Presidenti shqiptar, Ilir Meta, ka marrë pjesë në përkujtimet që po bëhen në Reçak për nder të viktimave të masakruara 21 vjet më parë nga forcat serbe.

Ai bashkë me presidentin Hashim Thaçi vendosën lule në Kompleksin Përkujtimor.

“Ishte përgjegjësi dhe detyrim i imi për të qenë këtu bashkë me presidentin Thaçi dhe për t’u përkulur me nderim të pakufijshëm përpara kujtimit të fëmijëve, të moshuarve dhe të banorëve të Reçakut të masakruar barbarisht 21 vite më parë në një akt, i cili nuk mund të përshkruhet përveç se me tri fjalë siç bëri ambasadori Walker: “Krim kundër njerëzimit”.

“Kjo masakër dhe sakrificë e pashembullt e Reçakut vuri në lëvizje diplomacinë ndërkombëtare për të ndalë gjenocidin në Kosovë dhe përmes ndërhyrjes së NATO-s. Kjo masakër dhe tjerat në kuadër të një plani për spastrim etnik, me të gjitha zhvillimet dhe pasojat e saj, në fund tregoi që liria dhe dinjiteti njerëzor gjithmonë triumfojnë ndaj dhunës dhe barbarizmit. Ishte kjo sakrificë që solli lirinë”.

Meta gjithashtu foli edhe për mohimet e Masakrës së Reçakut nga autoritetet serbe duke thënë se kjo nuk i kontribuon paqes së synuar që ka rajoni.

“Ne sot jemi këtu jo vetëm të kujtuar ngjarje të tilla por edhe për të kërkuar që të shkojë deri në fund edhe drejtësia për të gjithë ata që realizuan dhe orkestruan një krim kundër njerëzimit. Çdo përpjekje për të mohuar çdo masakër nuk është gjë tjetër veçse një rrezik për riciklim e dhunës. Duhet të qëndrojmë të bashkuar drejt vlerave evropiane dhe të bëjmë gjithçka që ngjarje të tilla të mos përsëritën”.

Meta dhe Thaçi u takuan edhe me familjarët e viktimave dhe shumë qytetarë që janë mbeldhur sot në nderim të viktimave të masakruara.


MË SHUME NGA Lajme